Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi tha se në kushtet e motit me reshje intensive të shiut, të 27 hidrovorët në vend janë në aktivitet të plotë.
Në një intervistë për ATSH-në, Ekonomi theksoi se, “në terren kemi edhe Komitetin Emergjencave Civile që në këto momente angazhohet në mënyrë maksimale. Në punët ekzekutive më shumë ka nga Ministria e Mbrojtjes por secila ministri ka detyrat e veta specifike”.
Ndërsa gatishmëria e Ministrisë së Bujqësë dhe Zhvillimit Rural në situatën e krijuar nga moti me reshje intensive, tha ministrja, lidhet me gatishmërinë e hidrovoreve dhe të kanaleve kulluese.
“Ne vend ne sot kemi në aktivitet të plotë 27 hidrovorët të ndarë sipas drejtorive rajonale të Ujitjes dhe Kullimit. Funksionimi i hidrovorëve është i lidhur me monitorimin e vazhdueshëm të ujit por edhe të energjisë elektrike”- tha Ekonomi
Ministrja nënvizoi se bashkëpunimi me operatorët e tjerë në vend është shumë i rëndësishëm.
“Në këtë kuadër, bashkëpunimi me OSHEE-n është i domosdoshëm që hidrovorët të jenë në funksionim të plotë gjë që ka ndodhur dhe nga ana tjetër duhet që vëzhgimi i prurjeve të ujit të jetë çdo dy orë. Ndaj jemi në terren dhe masim sasinë e prurjeve që kanë hidrovorët”, theksoi Ekonomi.
Por kjo, vijoi Ekonomi, natyrisht lidhjet edhe me kanalet kulluese të cilat duhet të jenë në gjendje të plotë pune dhe falë investimeve që kemi bërë në këto vite hidrovorët dhe kanalet kulluese i kemi në gjendje të mirë pune dhe argjinaturat që ne i kemi rindërtuar në këtë periudhë ndihmuan mos të kalonte sasia e ujit mbi nivel.
“Ne kemi disa sipërfaqe toke që janë nën ujë, por ato nuk janë të gjitha sipërfaqe bujqësore dhe kemi disa familje që u evakuan nga zona e nënShkodrës që i shpëtuam nga rreziku”, u shpreh Ekonomi.
Gjithashtu, edhe Ministria e Infrastrukturës përveç funksionimit të plotë që ka pasur OSHEE ka mundësuar, sipas Ekonomit, edhe ndërhyrjen në ato pjesë ku kanë rënë dherat dhe ku ka pasur dëmtime rruge për ta sistemuar situatën.