Rrogozhina ishte një prej zonave më të dëmtuara nga tërmeti i 26 Nëntorit, por procesi i rindërtimit sot po u rikthen shtëpitë plot 260 familjeve. Drejtuesi politik i PS në Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj, ishte ditën e sotme në Kryevidh, ku brenda muajit të ardhshëm pritet të përfundojnë 24 shtëpi të reja.
“Më vjen shumë mirë që në Kryevidh kemi hedhur themelet për 24 shtëpi dhe tani po bëjmë muret rrethuese. Praktikisht, po ndërtojmë shtëpi me themele të forta për 100-200 vitet e ardhshme; janë të gjtiha me termoizolim dhe kushte më të mira seç ishin, për t’ua lënë trashëgimi fëmijëve”, tha Veliaj.
Tomorr Çullhaj, kryefamiljari i një prej shtëpive që po ringrihen nga e para në fshatin Stërbeg, u shpreh shumë i lumtur sepse iu zgjidh një problem i madh. “Jemi gëzuar shumë. S’ma merrte mendja se do vinte kjo ditë. Vetë s’kishim për ta bërë ndonjëherë,” u shpreh ai.