Kryeministri Edi Rama ishte sot në Maminas të Shijakut ku vazhdon kthimi në shtëpitë e reja i familjeve të prekura nga tragjedia e 26 nëntorit. Ndërsa u dorëzoi çelësat e banesave të reja dy familjeve të tjera, Rama tha se “të këqijat i kemi lënë pas dhe të mirat i kemi para”. Ndërsa ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj iu përgjigj nga Shijaku akuzave të opozitës për personat që janë ende në çadra.

“Mora shkas nga disa postime të pseudoopozitës për ata që janë në çadër. Numri i atyre që janë në çadër vjen gjithmonë duke u ulur. Ka qenë 11 mijë, para 4 javësh ishte 1234, sot ka zbritur në 1058 dhe me mbarimin e banesave në Shijak zbresim nën 1 mijë”, tha Ahmetaj.

Ministri garantoi se “deri në maj nuk do të ketë më banorë në çadra”. Por, ai nënvizoi se “të gjithë ata që kanë qenë në çadër, sepse kanë bërë zgjedhjen e tyre legjitime për të qenë afër tokës, të gjithë kanë marrë bonusin e qirasë”. Ndërsa kryetari i bashkisë së Shijakut, Elton Arbana tha se “vetëm në njësinë administrative Maminas janë ndërtuar 120 banesa individuale”. “Siç patëm premtuar brenda 15 janarit do t’i dorëzojmë të gjitha banesat individuale”, tha ai.