Dega e Lëvizjes Socialiste për Integrim në fshatin Gjeroven në rrethin e Berati është mbyllur. Mesditën e sotme kryetari i degës së LSI-së në këtë fshat dha dorëheqjen dhe u largua nga kjo forcë politike. Menjëherë pas largimit të kryetarit të kësaj dege, kanë deklaruar “unanimisht” largimin nga LSI edhe 140 anëtarët e degës së fshatit Gjeroven.
Kjo deklaratë politike e kryetarit të degës së LSI-së Gjeroven u mor gjatë një takimi të thirrur nga Shehu me anëtarët e degës që ai ka drejtuar prej 10 vitesh. Kryetari i LSI-së Gjeroven, Krenar Shehu ka deklaruar se e ka ndërmarrë këtë vendim pasi ndihet i papërfaqësuar nga kjo forcë politike.
“Unë si kryetar i LSI-së Gjeroven, pasi jam menduar gjatë, kam vendosur të largohem nga kjo parti politike. Ndihemi të papërfaqësuar pasi LSI është tallur me zonën e Gjerovenit. Duke nisur nga ish/kryetari i bashkisë që ishte kushëriri i Metës e deri tek listat e tanishme për deputete, verehen se në lista janë sërsish kushërinjtë e tij”- ka deklaruar Shehu,i cili ka konfirmuar se vendimi i tij është i pakthyeshëm.