“Fermerët kanë mundësi pa fund të përfitojnë grante, vetëm se duhet të dijnë të shkojnë te skema e mbështetjes”, deklaroi sot në një intervistë televizive, Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi, ndërsa theksoi se 560 mijë fermerë tashmë kanë përfituar mbështetje.

Sipas Ekonomit, ka ardhur në rritje interesi i fermerëve për të aplikuar nga skemat e mbështetjes në bujqësi që ofron qeveria, duke parë edhe shembujt e përfituesve që kanë ndryshuar perspektivën e ekonomisë së tyre familjare.

“Fermerët kanë një ndërgjegje të shtuar përsa i përket aplikimeve online në e-Albania për shkak të pandemisë, pasi edhe mesazhet informuese u kanë shkuar fermerëve nga veriu në jug. Të gjitha agro-pikat janë munduar ta shpërndarjnë informacionin nga qendra deri në skajin më të largët”, u shpreh Ekonomi.

“Dua t’u i bëjë një thirrje fermerëve që mendojnë se nuk janë përfitues, që të lidhen me agro-pikat sepse ato i ndihmojnë për të kuptuar pse janë përfitues për skema që qeveria ofron”, tha ajo.

Ekonomi shtoi se këto skema nuk kanë ndryshuar sepse logjika e mbështetjes duhet të jetë edhe pak afatgjatë. “Nëse ndërtoj vitin e parë një skemë nuk mund ta prish vitin e dytë sepse ka nevojë për vazhdimësi skema”, u shpreh ajo.

“Unë bëj gjithashtu një thirrje që të kujtoj se viti 2017 qe viti që u vendos kjo skemë që kemi aktualisht duke bërë takime në çdo qark me çdo Drejtori Rajonale të Bujqësisë ku u sqarua se kush do të jetë paketa e mbështetjes dhe çfarë ndihme jep IPARD-i dhe IPARD është një program që nuk e bënë vetëm Shqipëria por e bëjnë plot vende dhe e bëjnë vende të rajonit. Skema mbështetëse IPARD ndërtohet mbi një analizë të thellë të sektorit të bujqësisë, specifik. Në qoftë se jap një skemë në fruta-perime e tregoj pse e jap, sepse kam bërë një analizë sektoriale sepse e dimë se ky sektor po të marrë mbështetje shton vlerën e produktit, rrit zinxhirin e vlerës. Për fermerët, mundësitë janë të pafund, vetëm duhet të dinë të shkojnë te skema”, tha ajo.