“E qartë, hajdutët e LSI-PD apo PS-LSI nuk fitojnë kurrë”, deklaroi sot zv.kryeministri Erion Braçe duke komentuar sondazhin e publikuar nga Euronews Albania në bashkëpunim me kompaninë prestigjioze MRB, ku nënvizohet se “Partia Socialiste do të fitonte zgjedhjet nëse mbahen sot”. “Më vjen mire që kjo u bë e qartë dje edhe një herë, në 21 janar. Dua të them disa gjëra: Unë i besoj njerëzve që shoh sy më sy. LSI-PD shtuar me gjyqtarët e prokurorët e korruptuar, nuk fitojnë në zgjedhje, nuk vijnë kurrë në pushtet. Cilido që mendon e beson tek ta, duhet të dijë se përsëri investon për të qenë në opozitë”, tha Braçe.
Po ashtu, ai theksoi se “cilido hajdut që ka mbetur thatë e mendon se po i vjen dita, posaçërisht me LSI-në Divjakë, Lushnje e Fier së pari, ta harrojë, LSI do të jetë në opozitë e nuk do jetë në Qeveri, as drejtpërdrejt e as me koalicion. Mos e harxho votën kot”, shtoi Braçe.
Kurse socialistëve e cilitdo rreth nesh, vijoi Braçe, “dua t’i kujtoj që nuk kemi fituar asgjë akoma, është betejë e bëhet çdo ditë me njerëzit shtëpi më shtëpi, duke dëgjuar e duke shërbyer”, tha Braçe. Sipas këtij sondazhi, “nëse zgjedhjet parlamentare të 25 prillit do të zhvilloheshin sot, 41.8 për qind e shqiptarëve do të votonin Partinë Socialiste”. Po ashtu 28.2 për qind do të votonin Partinë Demokratike, 10.3 për qind Lëvizjen Socialiste për Integrim, 1.5 % PDIU-në, ndërsa 2.1% partitë e tjera.