Vaksina Pfizer/Biontech kundër COVID-19 duket se është efektive ndaj një numri të konsiderueshëm mutacionesh të virusit, sipas një studimi të laboratorit Pfizer. Ky studim, i cili ende nuk është vlerësuar nga kolegët e Pfizer dhe shkencëtarët në Shkollën Mjekësore të Universitetit të Teksasit, tregon se vaksina është efektive në vrasjen e virusit me mutacionin e proteinave N501Y.
Ky test është bërë në një mostër gjaku të marrë nga njerëzit që janë vaksinuar. Gjetjet e saj janë të kufizuara sepse nuk shikon të gjithë gamën e mutacioneve të gjetura në disa nga variantet e reja të virusit që përhapet me shpejtësi. Phil Dormitzer, vuri në dukje se është inkurajuese që vaksina duket të jetë efektive kundër këtij mutacioni, si dhe kundër 15 mutacioneve të tjera që kompania ka testuar më parë.
“Deri tani ne kemi shikuar 16 mutacione të ndryshme dhe asnjë prej tyre me të vërtetë nuk ka pasur një ndikim të rëndësishëm. Ky është një lajm i mirë,” tha ai. Dormitzer vuri në dukje se një tjetër mutacion në koronavirusin e ri, i gjetur në Afrikën e Jugut, i njohur si E484K, është gjithashtu shqetësues.
Studiuesit planifikojnë të kryejnë kërkime të ngjashme për të përcaktuar nëse vaksina është efektive kundër mutacioneve të tjera të gjetura në variante të reja të koronavirusit në Britani dhe Afrikën e Jugut dhe shpresojnë të kenë më shumë të dhëna brenda javësh. Shkencëtarët kanë shprehur shqetësimin se vaksinat në dispozicion mund të mos jenë në gjendje të mbrojnë nga llojet e reja të koronavirusit, veçanërisht nga ai që është shfaqur në Afrikën e Jugut.