Nga Arben Ahmetaj/ Dyfishim i të ardhurave për frymë…pa afat. Si projekti i tramit…. në kalenda…
Ulja e kontributit të sigurimeve shoqërore – gënjeshtër? padituri?..apo një skemë për t’i lënë shqiptarët pa pension. Pra, një program “futja kot, se dhe po na besuan, fajin e kanë vetë” Ja çfarë na thanë në pseudo-programin e tyre:

1. Do vendosin taksë të sheshtë 9% mbi të ardhurat nga paga – pra, rritje takse për të gjitha pagat deri në 100 mijë lekë/muaj; taksë varfëruese për 94.5% të të punësuarve; ulje taksash për vetëm 5.5% të tyre! Një qytetar me pagë 35 mijë lekë/muaj, paguan tatim: 1% – me taksën e drejte progresive. 9% – me taksën e sheshtë. I rritet tatimi mbi të ardhurat me 31 mijë lekë më shumë në vit; praktikisht shteti i merr nga xhepi një pagë mujore në vit.

Një qytetar me pagë deri 35-40 mijë lekë/muaj, paguan tatim: 2.6% – me taksën progresive. 9% – me taksën e sheshtë. I rritet tatimi 280 USD më shumë në vit. Po kë lehtëson taksa e sheshtë 9%? Një qytetar me pagë të lartë 200-300 mijë lekë në muaj, paguan: 13.6% tatim – me taksën progresive. 9% tatim – me taksën e sheshtë. I ulet tatimi me 1850 USD/vit. E dini sa i kursen taksa e sheshtë 9% një bankieri, drejtuesi koorporate, apo punonjësi me pagë 300-400 mijë lekë/muaj? 11.600 USD në vit. Me taksën varfëruese të sheshtë 9%, maja e piramidës së pagave, përfiton në total ulje taksash 150 milionë lekë/muaj.

2. Do të ulin tatimin mbi të ardhurat e kompanive nga 15% ne 9% – pra, 10 mijë biznese të mëdha të përfitojnë në kurriz të 100 mijë bizneseve të vegjël!
Me taksën e sheshtë 9%, i kursejnë 10 mijë kompanive të mëdha rreth 14.5 miliardë lekë. Me taksën e drejtë progresive, në 8 vitet e fundit, taksat e biznesit të madh janë rritur 460% krahasuar me 2013.

3. Vendosin tatimi 0,5% të xhiros për bizneset e vogla – 20 milionë dollarë në kurriz të biznesit të vogël, 100 mijë biznese që sot paguajnë 0 TAKSA!

4. Ulja e taksës se qarkullimit me 20 lekë nga çmimi i karburanteve dhe 4 lekë TVSH, 24 lekë/litër – nëse llogarisim që konsumi vjetor i karburanteve është rreth 480 mijë ton, efekti në buxhet i kësaj mase do të ishte -14,4 miliardë lekë, ose një rënie me 5% e të ardhurave vjetore nga Tatimet dhe Doganat.

5. Ulja e kontributit të sigurimeve shoqërore nga 24,5% në 18% – Të ardhurat vjetore nga kontributet e sigurimeve shoqërore do të uleshin në 64 miliardë lekë, ose 23 miliardë lekë më pak nga sa arkëtohen sot. Kjo është skema “t’i lemë shqiptarët pa pensione”!