Shefja e Survejancës dhe Shërbimit të Inteligjencës Epidemike në Institutin e Shëndetit Publik, Eugena Tomini deklaroi sot se përveç Tiranës, Shkodra dhe Durrësi janë dy qytetet e tjera që kanë aktualisht numrin më të madh të të infektuarve nga COVID-19. Tomini u shpreh se “Durrësi dhe Shkodra janë bashki apo qarqe që mbajnë peshën e pozitivitetit në vend”.

Ajo tha se pas këtyre dy qyteteve, janë edhe Fieri e Vlora me raste të larta të pozitivitetit nga koronavirusi. “Por ndërkohë Elbasani dhe Berati është vërë re që kanë pasur disa vatra në institucione apo vatra familjare, që janë evidentuar të paktën në javën që lamë pas”, tha Tomini. “Aty ku kemi aktivitetet jetësore, ekspozimi ndaj njëri-tjetrit, personave asimptomatikë, por që nuk janë të konfirmuara apo kontaktet e ngushta familjare koha e ekspozimit është më e lartë, për rrjedhojë edhe personat që infektohen, apo kontaktet me personat e sëmurë apo asimptomatikë sigurisht që është më i ngjeshur”, tha Tomini.

Pak ditë më parë, Komiteti Teknik i Ekspertëve deklaroi se në 2 javët e fundit numri më i lartë i infektimeve i përket grupmoshave 25 deri 34 vjeç, si dhe 15-25 vjeç.