Ka ngritur shqetësim deklarata e kryeministrit britanik Boris Johnson se varianti i koronavirusit që u shfaq në këtë vend mund të jetë më vdekjeprurës. Kreu i qeverisë britanike iu referua të dhënave të fundit që vijnë nga ekspertët.

“Përveç përhapjes më shpejt, tani duket se ka disa prova se varianti i ri – varianti që u identifikua për herë të parë në Londër dhe në jug-lindje të vendit- mund të shoqërohet me një shkallë më të lartë të vdekshmërisë. Është kryesisht ndikimi i këtij varianti të ri që spitalet tona janë vënë një presion kaq të fortë”.

Ekspertët janë duke bërë vlerësime për shkallën e vdekshmërisë së këtij varianti i cili është përhapur tashmë në rreth 50 vende të botës. Ata kanë lënë të kuptohet se niveli i vdekshmërisë është rreth 30% më i lartë ndërsa përhapja shkon deri në 70% më e madhe.

Britania numëron mbi 3.5 milionë të prekur dhe gati 96 mijë viktima. Kompanitë e vaksinave Pfizer dhe Oxford-AstraZeneca thonë se dozat e tyre pritet që të kenë efekt mbi këtë mutacion.

Shqetësimi është se edhe 2 variante të tjera janë shfaqur në Afrikën e Jugut dhe Brazil. Shifrat e pandemisë së 24 orëve të fundit treguan nivele të larta edhe në Gjermani ku jetët e humbura janë arritur mbi 50 mijë.