Një ri-analizë e dy milionë testeve të covid të kryera në Shtetet e Bashkuara në muajt e fundit ngre pyetje të reja në lidhje me origjinën e mutacionit më ngjitës B117 “lloji nga Britania e Madhe” dhe sugjeron se mund të jetë tashmë i përhapur.
Sipas The Guardian, një variant i COVID-19 që mbart disa nga të njëjtat mutacione si varianti shumë ngjitës britanik mund të ketë qenë në Shtetet e Bashkuara që nga tetori dhe është tashmë i përhapur, sugjeron ri-analiza e më shumë se dy milionë testeve në Shtetet e Bashkuara.
Sekuencimi i gjenomit të virusit është bërë për disa kohë nga shkencëtarët nga kompania e testimit të ADN-së në Kaliforni, “Helik” për të konfirmuar nëse mutacioni i vëzhguar tek amerikanët është i njëjtë me të ashtuquajturin variant B117 që aktualisht po qarkullon në Britaninë e Madhe.
Helik aktualisht po bashkëpunon me Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) pasi priten rezultatet e një studimi të një varianti të gjetur në SHBA.
Rezultatet priten brenda pak ditësh, por zbulimet kanë ngritur pikëpyetje të reja se nga vjen virusi i modifikuar, përfshirë mundësinë e vogël që ka filluar në Shtetet e Bashkuara, dhe jo në Mbretërinë e Bashkuar ose diku tjetër. Varianti është gjetur gjithashtu në të paktën 17 vende, duke përfshirë Korenë e Jugut, Spanjë, Australi dhe Kanada.
Është gjithashtu e mundur që varianti të ketë origjinën nga SHBA, dhe më pas të përhapet në Britaninë e Madhe, megjithëse kjo nuk ka gjasa, duke marrë parasysh që varianti B117 duket të jetë më i përfaqësuar në Angli.
Qeveria është e bindur se varianti i llojit më ngjitës i virusit ka qarkulluar në Britaninë e Madhe që nga shtatori.