Ky vit që sapo ka trokitur do të shënojë për Tiranën një revolucion të vërtetë në infrastrukturën arsimore, me godina moderne, mjedise e hapësira të bollshme për nxënësit, terrene sportive e laboratorë të mirëpajisur për zhvillimin normal të lëndëve arsimore. Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka publikuar në këto ditë të para të janarit pamje nga kantieri i ndërtimit të vetëm dy prej xhevahireve që do t’i shtohen Tiranës, një shkollë e mesme dhe një 9-vjeçare, të integruara me kopësht, në Don Bosko, të cilat do t’i japin fund mësimit me dy turne për nxënësit në atë zonë.
“Viti i Ri 2021 na gjen në vijim të punimeve intensive për ndërtimin e shkollës së mesme “Kristo Frashëri” dhe shkollës 9- vjeçare “Vaçe Zela” në Don Bosko, që t’i përfundojmë brenda vitit dhe nxënësit të mësojnë në ambiente të reja e modern”, shkruan Veliaj.
Përveçse do të zgjidhin për herë të parë problemin 27-vjeçar të mësimit me dy turne, siç edhe u premtua nga kryebashkiaku Erion Veliaj në zgjedhjet e 2015-ës, shkollat e reja të Tiranës do të jenë një mjedis i hapur për të gjithë, sipas konceptit të ri si “qendra komunitare”, që do mund të shfrytëzohen edhe gjatë pasditeve nga nxënësit dhe komuniteti rreth saj, për aktivitete të ndryshme social-kulturore, duke i dhënë asaj një dimension tjetër.
Shkollat janë planifikuar të kenë të gjitha ambientet e nevojshme akademike (klasat mësimore, duke përfshirë laboratorët e fizikës, kimisë, biologjisë, informatikës etj), palestër me ambientet ndihmëse të saj, hapësirat administrative, hapësirat shoqërore, etj. Për të përballuar ndryshimet klimaterike, godinat do të pajisen me sisteme të ngrohjes qendrore. Një kujdes i veçantë i është kushtuar edhe sistemimit të mjediseve të jashtme, me terrene sportive, gjelbërim dhe ndriçim të jashtëm.
Dy shkollat në Don Bosko janë pjesë e programit për 17 institucione të reja arsimore me standardet më të larta në kryeqytet, ndërkohë që vijon puna dhe për rindërtimin e shkollave të dëmtuara nga tërmeti, ku përfshihet edhe shkolla e mesme “Sami Frashëri”.