Për të marrë pjesë në zgjedhjet e 25 prillit çdo qytetar me të drejtë vote, duhet të ketë një kartë identiteti të vlefshme. Atyre që tashmë iu ka skaduar ky dokument, duhet të nxitojnë të aplikojnë në zyrat e kompanisë koncesionare.

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, u ka bërë thirrje qytetarëve që të rinovojnë dokumentin e identifikimit biometrik. Celibashi shprehet se ata të cilëve u ka skaduar afati i letërnjoftimit nuk mund të votojnë votojnë në zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit.

“Nuk mund të votosh në 25/4/2021 nëse Letërnjoftimi apo pasaporta juaj biometrike ka skaduar ose skadon deri në 25/4/2021. Nëse do të votosh, rinovo dokumentin e identifikimit biometrik”, apelon Celibashi.

Aplikimin për kartë identiteti qytetarët mund ta bëjnë në çdo zyrë të kompanisë “Aleat” në Shqipëri pavarësisht zonës ku banojnë si edhe gjatë ditës së shtunë. Për të mos krijuar radhë nëpër zyra gjatë aplikimit, qytetarët mund të kryejnë rezervim online në portalin e-Albania. Me ndryshimet e fundit ligjore, qytetarët që pajisen me kartë identiteti pas moshës 75 vjeç, nuk kanë më nevojë të rinovojnë sërish këtë dokument derisa të jenë në jetë. Ndërkaq, Ministria e Brendshme ka njoftuar qytetarët që kanë aplikuar përgjatë vitit 2019 dhe 2020 dhe nuk kanë mundur të tërheqin ID kartat, të paraqiten pranë zyrave të aplikimit, pasi afati për nxjerrjen jashtë përdorimit të tyre është shtyrë deri në fund të prillit 2021.