Nga Alfred Peza
Nëse ka një dilemë për tu zgjidhur përpara procesit elektoral të këtij viti, ajo nuk ka të bëjë me atë se kush do të jetë fituesi, por me zbërthimin e enigmës së ngatërruar të opozitës e cila paralajmëron që tani humbjen e saj katastorifike. Duke e bërë këtë një rebues me aq shumë të panjohura, sa vështirë të gjendet dikush sot, që të ketë aftësinë për të kuptuar sesi do të zgjidhet ajo.

As Lulzim Basha, as Sali Berisha, as Ilir Meta e Monika Kryemadhi nuk janë në gjendje që të japin një përgjigje të saktë sot, sesi do të dali opozita përpara shqiptarëve nesër, për tu përballur politikisht dhe elektoralisht me mazhorancën e Kryeministrit Edi Rama. Ndaj, e gjithë kjo rrëmujë e pazakontë e një grupimi që pretendon rikthimin pas 8 vjetësh në pushtet, është diçitura e vetme për atë që i pret në mëngjesin e së hënës së 26 prillit.

Sa më shumë që kalojnë ditët dhe i afrohemi fillimit zyrtar të fushatës zgjedhore, aq më tepër pikëpyetje presin që të marin përgjigje, nga fronti i opozitës sonë. Le të mundohemi ti marim një e nga një me radhë, nisur nga zhvillimet e orëve të fundit, brenda PD dhe LSI.

Së pari, një nga aleatët më të vjetër të Partisë Demokratike, tha se është pothuajse e sigurtë që partia e Dash Shehit, Nard Ndokës, Fatmir Mediut, Shpëtim Idrizit dhe… Vangjel Dules do të jenë pjesë e të njëjtit koalicion parazgjedhor dhe e të njëjtës listë kandidatësh për deputetë. Pyetja që shtrohet është: Po Partia e Agron Dukës, pse nuk është pjesë e saj? Me kë do të kandidojë ajo? Me LSI apo jashtë gardhit të “Opozitës së Bashkuar”? E sigurtë është që Agron Duka nuk mund të zërë vendin e Lefter Kokës krah Ilir Metës, në qarkun e qytetit më të rëndësishëm bregdetar!

E dyta, e sigurtë pothuajse është tashmë që në këto kushte, Lëvizja Socialiste për Integrim të udhëheqë një koalicion të dytë elektoral. Po kush nga partitë e tjera “të vogla” do të bëhen pjesë e listës së kandidatëve të saj për deputetë? Në horizont ende nuk duket që të ketë ndonjë aleat me potencial politik që do ta bënte trenin e Ilir Metës dhe Monika Kremadhit me më shumë vota dhe për rrjedhojë edhe mandate. Ndaj ky “dimër i vetmisë së madhe”, është një nga enigmat më të mëdha të asaj që e pret opozitën në pranverë.

E treta, largimi i Nasip Naços nga LSI nga çdo pikëpamje që ta analizosh, çdo gjë mund të jetë, por kurrë një rrufe në qiellin e pastër mbi oborrin opozitar. Sepse ikja, rrjedhja, largimet dhe zbrazja e pandalshme e politikanëve me profile të spikatura opozitare, ka qenë është dhe pritet të mbetet një konstante e pandryshueshme. Emri i ish ministrit të Drejtësisë, është i fundit në një listë që numëron që nga Lefter Koka e Elez Gjoza, tek Jozefina Topalli, Rudina Hajdari, Astrit Patozi, Myslim Murrizi e një pafundësi tjetër emrash përpara e pas tyre.

E katërta, një nga dilemat që pritet të sqarohet në ditët dhe javët në vijim, ka të bëjë me rolin dhe pozicionin politik dhe elektoral të Ilir Metës në gjithë këtë histori. Nëse i përmbahet premtimit se do të qëndrojë në atë zyrë deri në korrik të 2022, pasi të ketë konsumuar edhe ditën e fundit të mandatit të tij, ky do të ishte një rekord për një Presidencë atipike.

Por në kushtet ku ndodhet LSI, e cila rrezikon që të qëndojë në opozitë deri më 2025 duke rrezikuar që të shkrihet si parti politike, mund të kemi një lëvizje të pritshme nga Ilir Meta. Zërat pranë tij, flasin për një dorëheqje si Kryetar Shteti në orët e dorëzimit zyrtar të listës së kandidatëve për deputetë të LSI në KQZ dhe përfshirjen e tij në krye të listës së kanidatëve për deputetë në një qark të rëndësishëm, ndoshta në Durrës. Kjo është një dilemë tjetër që pritet të zgjidhet.

E fundit, ky proces i thyerjes, rrëzimit, copëzimit, shkërmoqjes, thërrmimit, përçarjes, rrjedhjes dhe zhbërjes së frontit të madh opozitar është herë e parë që shfaqet në një mënyrë kaq të pandalshme pa kthim, në këto 30 vitet e historisë së pluralizmit politik në Shqipëri. E ta mendosh që kjo po i ndodh një opozite jo në fillim apo në fund të mandatit të parë, por sa më shumë që po I afrohemi përfundimit të të dytit. Çka në këto 24 vitet e fundit, loja elektorale ka ndjekur një rregull ciklik sipas të cilit e majta ka qenë 8 vjet në pushtet, më pas ka ardhur 8 vjet e djathta dhe tani po mbyll 8 vitëshin e qëndrimit në pushtet, sërisht PS.

Të gjitha këto janë jo vetëm thjeshtë shenjëza, sinjale apo simbole të asaj që pritet të ndodhë. Por, janë provat çdo ditë e më ulëritëse, se lidershipi i opozitës sonë nuk do ia dali që ta zgjidhi dot kurrë rebusin para së cilës ndodhet. Për rrjedhojë, kjo ndihmon gjithë shqiptarët për të kuptuar që tani, se përse Edi Rama po shkon kaq i sigurtë drejtë fitores së mandatit të tij të tretë si Kryeministër.