Drejtori i Agjencisë Kombëtare për Mbrojtjen Civile, Haki Çako tha sot nga Shkodra se po punohet intensivisht në zonat e prekura nga përmbytjet si pasojë e reshjeve të shiut, ndërsa i bëri thirrje bashkive për të intensifikuar punën dhe për të hartuar një plan konkret masash.
Në një prononcim për mediet, Çako tha se “prej 2-3 ditësh vendi është përfshirë nga një intensitet i konsiderueshëm reshjesh”.
“Zonat më të prekura janë Tirana, Durrësi, Shkodra, Fieri, Lushnja, Vlora, etj., probleme ka pasur dhe në qarqe të tjera ku s’ka munguar as bora. Nga informacionet e marra në të gjitha prefekturat janë ngritur dhe organizuar mbledhjet dhe takimet përkatëse të shtabeve të mbrojtjes civile ashtu sikurse edhe në bashkitë respektive të këtyre prefekturave”, – u shpreh Çako.
“Janë marrë masat përkatëse. Situata ka qenë në monitorim dhe gjatë natës së mbrëmshme dhe ditës së sotme, janë shtuar ndjeshëm prezenca e ujit kryesisht në zonën e Shkodrës dhe të Lezhës që kanë qenë zonat më të prekura, nga reshjet zonale dhe rajonale, pasi nuk jemi në ndikimin e shkarkimeve të lumenjve të mëdhenj si Drini, Vjosa, Shkumbini, që janë duke u monitoruar totalisht”, – tha Çako, duke shtuar se shkarkimet janë ato të vendosura me vendim përkatës para disa ditësh dhe nuk ka shtim të tyre.
Drejtori Çako u shpreh se “jemi në kulmin e dimrit dhe për sa kohë reshjet kanë munguar për një periudhë të caktuar, pritshmëria për një shtim të tyre është dhe ne jemi duke e monitoruar hap pas hapi. Aktualisht ka prezencë të shtuar uji në toka bujqësore, në zona që janë të ekspozuara apo në buzë të lumenjve. Janë evakuuar 2 ose 3 familje në Lezhë dhe Shkodër, të cilat kanë qenë të cenuara nga përmbytja. Zona e Oblikës është ajo më e ekspozuar me prezencë uji. Në përgjithësi s’kemi banesa që kanë nevojë për t’u evakuuar”.
Ai tha se “më duhet të përforcoj thirrjen dhe vlerësimin e prefektes së Shkodrës për një vëmendje më të shtuar të bashkive në mënyrë të veçantë për të intensifikuar punën e vet dhe për të hartuar një plan konkret masash, pasi është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e bashkive, masat paraprake dhe për çdo situatë që kërkon mbështetje dhe gatishmëri të strukturave të tjera operacionale, që ka shteti shqiptar, që janë në gatishmëri të plotë, kuptohet do duhet ndërhyrja e tyre”.
“Një situatë e tillë reshjesh përfshin të gjithë vendin ndaj çdo bashki duhet të jetë në gatishmëri të plotë, pa pritur një zgjidhje të të tjerëve”, – tha Çako.
Çako bëri të ditur se nuk kanë munguar projekte në ngritjen e argjinaturave, në pastrimin apo dhe në eliminimin e pengesave të ndryshme dhe në kolektorë të ndryshëm apo në pastrimin e kanaleve.
“Shqipëria një fakteqësi më të ekspozuar ka përmbytjet, ndoshta dhe për shkak të pozicionit. Lumenjtë shpesh bëhen shkak për përmbytje. Kjo reformë ka pasur në konsideratë këtë. S’kanë munguar projekte në ngritjen e argjinaturave, në pastrimin apo dhe në eliminimin e pengesave të ndryshme dhe në kolektorë të ndryshëm apo në pastrimin e kanaleve. Rreth 7500 km kanale janë pastruar vetëm vitin që shkoi, duke krijuar mundësi më të shtuar për shkarkimet që vijnë në momente siç janë aktualisht”, – tha Çako.