Në kantierin e spitali rajonal të Fierit po punohet natë e ditë, me tre turne për të përmbushur angazhimin e qeverisë turke për realizimin e tij në një afat kohor prej 3 muajsh. Kryeministri Edi Rama ka publikuar pamje nga puna e realizuar deri tani, 21 ditë pas nisjes në këtë kantier. “MIRËMËNGJES , dhe me 21 ditët e punës në kantierin e Spitalit Rajonal Memorial të Fierit, ju uroj një ditë të mbarë”, shprehet Rama.
Tashmë ka nisur hedhja e themeleve për ndërtimin e këtij spitali dhe është shtruar e gjithë infrastruktura nëntokësore. Spitali do të pozicionohet ngjitur me autostradën për të patur kështu akses direkt dhe të lehtë si për qytetarët, ashtu dhe për furnizim. Spitali Rajonal i Fierit do të jetë një shembull i sistemit shëndetësor dhe një qendër e transferimit të teknologjisë e të dijes nga sistemi shëndetësor turk në sistemin shëndetësor shqiptar. Administrimi i spitalit, me mbarimin e punimeve, do të kryhet në çdo pavijon prej ekspertëve e mjekëve turq për një periudhë tranzitore, deri në kalimin e kompetencave tek drejtuesit shqiptarë, të cilët do të punojnë krah për krah ekspertëve turq, për ta marrë më pas të gjithë përgjegjësinë.