Drejtori i përgjithshëm i Gjendjes Civile, Bledar Doracaj deklaroi se, “në zgjedhjet e 25 prillit do të mund të votojnë të gjithë, pavarësisht se rezulton që deri më datë 25 prill janë 800 000 karta identiteti apo pasaporta biometrike që skadojnë”.
Gjatë një interviste televizive, Doracaj u shpreh se përmes një akti normativ apo një vendimi përmes një forme tjetër ligjore do t’i jepet mundësia e votimit të gjithë shtetasve, edhe pse mund të kenë dokumente identifikimi të skaduara.
“U bë më shumë se 2 muaj e gjysmë që qeveria ka ndërmarrë një tur sensibilizues në të gjitha bashkitë për të kontaktuar me të gjithë qytetarët dhe për t’i bërë ftesë për të rinovuar mjetet e identifikimit”, – u shpreh Doracaj.
“Është ende një numër i konsiderueshëm personash të cilëve u skandon ID apo pasaporta brenda 25 prillit, janë rreth 800 000 shtetas, dhe më lejoni të shpreh konsideratën për KQZ-në që ka kërkuar gjetjen e mundësisë që edhe këta persona me mjete identifikimi të skaduar të votojnë”, – tha Doracaj.
“Ne si Ministri e Brendshme, por dhe si qeveri kemi vullnet të plotë për të garantuar që asnjë shtetasi, në moshën e votimit të mos i mohohet e drejta e votimit për shkak të dokumentit të identifikimit”, – theksoi Doracaj.
“Kjo s’do të thotë që ky numër i konsiderueshëm zgjedhësish të mos i drejtohet zyrave të rinovimit të kartave apo pasaportave. Dokumentet e identifikimit janë të rëndësishme për të marrë shërbime në zyrat publike apo private dhe në këtë rast ato duhet me patjetër të jenë të rinovuara”, – përfundoi ai.