Skënder Brataj, Drejtori i Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore ka folur “Top Talk” në lidhje me situatën e koronavirusit ndërsa shifrat e rasteve të reja janë në rritje. “Çdo rritje e këtyre numrave është një sinjal alarmi, nuk diskutohet që të jemi të kujdesshëm dhe të jemi të gatshëm për çdo lloj skenar, sa më shumë të shtojë aq më afër limitit të mundësive shkojmë. Këto 2-3 ditë po monitorojmë dhe analizojmë situatën dhe do të shohim më në detaj gjendjen aktuale, masat dhe situatën aktuale, ka ardhur momenti i vaksinës që duhet të ecim e hapa më të shpejta, por është momenti i fundit i kësaj pandemie, i këtij problemi që kemi”, tha Brataj.

Teksa jemi rreth 2 muaj para zgjedhjeve të 25 prillit, Brataj theksoi se është kundër mbylljes totale, gjë që do të thotë se zgjedhjet pritet të zhvillohen si më parë, por duke respektuar rregullat e pandemisë. Ai u shpreh kundër një karantine të plotë në të gjithë Shqipërinë sepse kjo do të ishte rëndë për ekonominë dhe për shqiptarët nga pikëpamja shëndetit mendor. “Unë do t’i referohesha linjës që ndjekin tek gjithë vendet e tjera. Edhe masat më shtrënguese kanë dhënë rezultat pothuajse në të gjithë vendet. Nuk do të flisja për një karantinë pasi është e papranueshme në këtë moment, në këtë situatë dhe një vit pas epidemisë për një mbyllje totale sepse edhe shëndeti mendor dhe ekonomia e të gjithë sektorët e tjerë janë në një limit të ekuilibrit që mund të jetë subjekt i cdo shpërthimi apo interpretimi.

Personalisht do të isha për shtrëngim masash, kufizimi i disa aktiviteteve, i orareve më shumë si të gjithë Europa deri në orën 6 pasdite. Mendoj që baret e restorantet janë nga burimet më të mëdha dhe po të ishte për mua, do të kisha një kufizim më të madh. Për mbyllje totale nuk do të flisja”, tha Brataj.