Ministri i Shtetit për Rindërtim Arben Ahmetaj inspektoi sot përgatitjen e kantierit të lagjes së re të Kombinat ku do të nisin gjithashtu punimet për ndërtimin e 120 godinave te banimit me 10,500 apartamente për akomodimin e 25 mijë banorëve. Zona e re për zhvillim është konceptuar si një qendër e re urbane, ekonomike dhe sociale e qytetit, ku do të ndërtohen gjithashtu një seri objektesh publike, arsimore, artistike, sociale dhe 14 terrene sportive.

“Në pranverën e 2022 praktikisht nuk do të ketë më asnjë gjurmë të tërmetit të 26 nëntorit 2019. Kjo do të bëhet një nga zonat më të urbanizuara me akses shumë të mirë në infrastrukturë. Sfidën e kemi të ndërtojmë mirë, fort dhe shpejt. Do punohet me tre turne. Do të bëjmë një marrëveshje trepalëshe mes nesh, pra qeverisë, bashkisë së Tiranës si njësi zbatuese dhe operatorëve ekonomikë që zbatojnë punimet, që të punohet me tre turne”- tha Ahmetaj.