Ambasadori i Bashkimit Evropian (BE), Tomas Szuyog thotë se Qeveria e Kosovës dhe BE duhet të bëjnë më të mirën që sa më parë të sigurojnë vaksinat antiCOVID-19. Ambasadori thotë se Kosova ka ndjekur procedurat e duhura për t’u furnizuar me vaksina nga COVAX, mirëpo që thekson se furnizimi i plotë nuk pritet të ndodhë para pjesë së dytë të vitit. Ambasadori i BE-së në një intervistë ka folur edhe për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen në Kosovë me 14 shkurt, ku thotë se thelbësore është që të formohet sa më shpejt Qeveria në mënyrë që menjëherë t’i bartë përgjegjësitë.
Szunyog është deklaruar edhe rreth investitorëve të huaj në Kosovë për çka thotë se Kosova do të mund të bënte ekonomi konkurrente në rast se do të bëheshin politika të duhura. Ndër tjera ai thotë se Kosova duhet të krijojë stabilitet politikë, meqë thotë se është një faktor kyç për tërheqjen e investitorëve. “Qeveria e Kosovës dhe BE janë duke bërë më të mirën për të siguruar vaksina sa më parë që është e mundur. Për shembull, përmes programit lehtësues të quajtur COVAX Kosova do të marr falas vaksina për 20% të popullatës. Kosova i ka ndjekur procedurat siç duhet, si do qoftë, për shkak të kërkesave të mëdha, furnizimi i plotë me vaksina nga COVAX, nuk pritet të ndodh para pjesës së dytë të vitit. BE është donatori më i madh i programit COVAX, që është një instrumente globale e menaxhuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë”, ka thënë ndër të tjera ambasadori Szunyog.
Szunyog ka thënë se ndërrimi i shpeshtë i qeverive po limitojnë adresimin e çështjeve strukturore në Kosovë. “Viti i kaluar ka qenë sfidues, kështu që Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës nuk kanë mundur të fokusohen në reforma, që përfshijnë edhe zhvillimin ekonomik dhe atë të biznesit. Zgjedhjet e parakohshme parlamentare, paqëndrueshmëria e shumicës parlamentare, dhe ndërrimet e shpeshta të qeverisë përkthehen në progres të limituar në adresimin e çështjeve strukturore në Kosovë, siç mund të jenë, për shembull, gjendja e tregut të punësimit, mungesa e diversifikimit ekonomik, dhe rënia e shpenzimeve kapitale. Për rrugëtimit evropian të Kosovës, ka shumë rëndësi që këto sfida të adresohen, të zbatohen reformat, dhe të ndërtohet ekonomi funksionale dhe konkurruese. Kjo do të mundësonte zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, dhe duhet siguruar që Kosova të përfitoj maksimalisht nga MSA. Duke qenë se data e zgjedhjeve është duke u afruar, ne presim zgjedhje të besueshme, gjithëpërfshirëse dhe transparente dhe në përputhje me standardet më të mira. Është thelbësore që periudha e pas zgjedhjeve të sjell shpejt institucionet e reja, posaçërisht formimin e Qeverisë në mënyrë që t’i barten përgjegjësitë menjëherë”, ka thënë ai për Këshillin e Investitorëve Evropian.
Ndërsa sa i përket rimëkëmbjes ekonomike, ai shprehet se nevojitet përpjekje thelbësorë për rimëkëmbje e bizneseve, kjo marrë parasysh siç thotë ai rënie ekonomike. Tutje ai ka treguar se cka duhet të bëjë qeverinë ardhje për të kthyer ekonominë në vend. “Përveç mbështetje fiskale e cila është ofruar nga qeveria përmes pakos emergjente dhe asaj për rimëkëmbje ekonomike, e që në zbatimin e tyre ka pasur edhe vonesa. Për të arritur rimëkëmbje ekonomike të qëndrueshme, nevojiten përpjekje thelbësore për rimëkëmbje të bizneseve, marr parasysh rënien ekonomike. Ekziston nevoja për t’u ofruar likuiditet bizneseve të prekura. Sidoqoftë, shikuar nga këndi strategjike, ndikimi i COVID19 në bizneset kosovare duhet parë si mundësi për përmirësim të konkurrencës, investim në inovacion, dhe tu ndihmohet kompanive të digjitalizohen. Të mbështeten sektorët të cilët do të kontribuojnë në ulje të importeve dhe të rrisin eksportet si dhe të rritet potenciali për krijim të vendeve të punës, gjersa sektori i teknologjisë dhe inovacionit të vihen në prioritet. Në periudhë afatmesëm dhe afatgjatë, krijimi i një sektori privat aktiv dhe konkurrues është i rëndësisë së veçantë në përcaktim të rritjes ekonomike afatgjatë për Kosovën, në një botë gjithnjë e më të globalizuar. Miratimi i një agjendë të zhvillimit që do të drejtohej nga sektori privat është e domosdoshme për rritje dhe zhvillim për të siguruar perspektivë më të mirë dhe prosperitet ekonomik afatgjatë dhe gjithëpërfshirës, duke u përqendruar tek gratë dhe grupet e margjinalizuara”, shprehet mes tjerash ai.
Ai ka theksuar se Kosova duhet të krijojë stabilitet politik si një faktor kyç për tërheqjen e investitorëve, dhe se duhet të vendoset përpara një agjendë reformuese.
Cili është mesazhi juaj për qytetarët dhe institucionet e Kosovës, si dhe për investitorët e huaj në Kosovë? “Që nga momenti kur kam filluar punën në Kosovë në shtator të vitit të kaluar, kam vërejtur që Kosova ka shumë potencial. Nëse do të bëheshin politika të duhura, Kosova do të mund bëhej ekonomi konkurrente, do të përmirësonte kualifikimin e forcës punëtore dhe do të forconte administratën publike. Kjo do të kishte ndikim të madh për Kosovën në avancimin e rrugës evropiane. Kosova si përpjekje të menjëhershme për vitin 2021 duhet të ketë arritjen e stabilitetit politik si një faktor kyç për tërheqje të investitorëve, gjithashtu duhet vendosur përpara një agjendë reformuese. Tutje, interesi strategjik afatgjatë i Kosovës në procesin e reformave duhet të jetë në përputhje me Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit si dhe me dokumentin e sapo miratuar “European Reform Agenda 2” (Agjenda për Reformë Evropiane 2.) Ambicia jonë e përbashkët për vitin 2021 duhet të mbetet mbështetja afatgjate e rimëkëmbjes socio-ekonomike të Kosovës si dhe konvergjenca ekonomike me BE-në. Duhet thënë se ka një hendek masiv në aspektin ekonomik mes këtij rajoni dhe BE-së. Sa më shpejt që mbyllim këtë hendek aq më shpejt Kosova do të bëhej ekonomi e fortë dhe e qëndrueshme. BE është këtu për të mbështetur Kosovën në përpjekjet e saj, me qëllim që të sjell ndryshime reale dhe të shënoj përparim të prekshëm, përfshirë rritjen e bizneseve dhe shumë mundësi punësimi për popullatën e Kosovës”, tha ai.