Është mbajtur sot ceremonia e fillimit të trajnimit fillestar të gjeneratës së VIII të gjyqtarëve. Janë 23 gjyqtarë të rinj të dekretuar nga ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani me datë 25 janar, të cilët sot fillojnë trajnimin 12 mujor pranë Akademisë së Drejtësisë. Para gjyqtarëve të rinj në Akademinë e Drejtësisë, foli ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) në Kosovë, Philip Kosnett. Kosnett tha se Kosova ka nevojë për një gjyqësor që nuk i nënshtrohet presionit politik dhe se për këtë duhet guxim. Ai ka uruar edhe njëherë qytetarët e Kosovës për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 14 shkurtit.
“Ju, si gjykatës, keni fuqinë për të zbatuar dhe gjykuar, por kjo duhet të rrënjoset në prova dhe në vetë ligjin. Në punën tuaj, ju duhet të lini mënjanë gjithçka që mund të shpërqendrojë ose t’ua tërheqë vëmendjen nga ndjekja e drejtësisë dhe sigurimi i një sistemi të drejtë për popullin e Kosovës. Kjo nuk është detyrë e lehtë dhe kërkon guxim. Guxim për të lënë anash zhurmën politike. Guxim për të vepruar bazuar në ligj, jo sipas bindjeve tuaja personale ose politike” , tha ai në ceremoninë e Akademisë së Drejtësisë. Ambasadori i ShBA-së, në adresimin e tij dha një rezyme dhe krahasim edhe me sfidat me të cilat u përball edhe sistemi i drejtësisë në ShBA në këta muajt e fundit duke dhënë shembull se si një gjyqësor i pavarur mund ti përball ato për të siguruar një demokraci të qëndrueshme.
Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett ka uruar edhe njëherë qytetarët e Kosovës për mbajtjen e suksesshme dhe të qetë të zgjedhjeve, ndërsa ka nxitur partitë fituese të formojnë qeverinë shpejt dhe me efikasitet. “Dëshiroj të uroj popullin e Kosovës për mbajtjen e suksesshme dhe të qetë të zgjedhjeve. Edhe një herë populli e tha fjalën e vet. I nxis partitë fituese të formojnë qeverinë shpejt dhe me efikasitet. Nuk ka kohë për të humbur kur dihet që qeveria e re përballet me shumë sfida. Qytetarët e Kosovës meritojnë qeveri efikase që e përmbush mandatin e saj të plotë. Asnjë sfidë nuk është më urgjente dhe më e rëndësishme se luftimi i pandemisë. Edhe unë, sikurse edhe ju, do të kisha pasur dëshirë të jem aty, por pandemia nuk ka lëshuar pe, prandaj nuk duhet as ne. Duhet të vazhdojmë të jemi të kujdesshëm dhe syçelur. Për keqardhje, nuk e kemi parë të njëjtën shkallë të kujdesit nga politikanët dhe qytetarët e Kosovës në javët para zgjedhjeve”, tha Kosnett.