Autoriteti Rrugor Shqiptar ka informuar sot se qarkullimi i mjeteve kryhet pa probleme në të gjitha akset kombëtare. ARRSH bëri të ditur se edhe një prej akseve më problematike për shkak të stuhisë me reshje bore dhe uljes së temperaturave, Qafë Thana është e hapur dhe qarkullohet pa vështirësi.

“Rruga është e pastruar pa prezencë bore ndërsa vazhdon puna për eleminimin e ngricave”, thekson ARRSH ndërsa publikon edhe foto nga ky aks. Kontraktorët gjatë natës kanë bërë pastrimin e akseve rrugore dhe shpërndarjen e kripës dhe qarkullimi kryhet pa probleme në të gjitha akset kombëtare.

Gjithsesi ARRSH apelon që të gjithë drejtuesit e mjeteve të pajisen me goma dimri ose zinxhirë gjatë natës dhe në orët e para të mëngjesit për shkak të ngricave, të reduktojnë shpejtësinë, të respektojnë sinjalistikën, rrugore dhe udhëzimet e Policisë Rrugore.