Kreu i PD Lulzim Basha ka zhvilluar dy vizita njëditore në Slloveni dhe në Kroaci. Në kulmin e pandemisë dhe në vigjilje të fushatës elektorale për zgjedhjet e 25 prillit, kreu i opozitës nuk ka munguar që t’i shfrytëzojë takimet me kryeministrin slloven Janez Janša dhe atë kroat Andrej Plenkoviç për qëllime elektorale. Madje duke bërë dhe si kryeministër i ardhshëm i Shqipërisë.
Thelbi i rezultatit të këtyre takimeve për Lulzim Bashën ka qënë mbështetja që Sllovenia dhe Kroacia do t’i bëjnë Shqipërisë për integrimin në BE pas 25 prillit, duke e quajtur fitoren e opozitës të sigurtë. Ndonëse sondazhet thonë krejt gjë tjetër.
Por duke u ndalur tek vizita e Bashës në këto dy vende anëtare të BE, Sllovenia merr dhe presidencën e ardhshme 6 mujore të këtij organizmi politik të familjes europiane, ajo që bie në sy është mesazhi që ka përcjellë kreu i PD për qytetarët shqiptarë.
“Sot pata kënaqësinë të takoja në Lubjanë, kryeministrin e Sllovenisë dhe kreun e Presidencës së ardhshme të Bashkimit Europian, Janez Janša. E njoha mikun tim, kryeministrin slloven me planin tonë për integrimin, angazhimin për të përmbushur të gjitha detyrimet, duke nisur nga lufta pa kompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Kam kënaqësinë të ndaj me ju, se mora mbështetjen e kryeministrit Janša, vendi i cili merr në 6 muajt e ardhshëm presidencën e BE, për të na mbështetur me nisjen e bisedimeve për anëtarësim në BE brenda vitit.
Për Shqipërinë nuk ka dhe nuk mund të ketë alternativë tjetër veç integrimit në BE. Dhe për këtë, PD dhe unë jemi të vendosur të ndërmarrim çdo vendim dhe hap të nevojshëm. Ramë dakort të koordinojmë veprimet dhe vendimet tona për ta përshpejtuar rrugën europiane të Shqipërisë si interesi më i madh i çdo shqiptari, si destinacioni ynë i vetëm.
Kryeministri Janša më garantoi se Sllovenia do të jetë avokate e fuqishme e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në BE”, paraqet Basha për publikun rezultatin e vizitës. A thua një kryeministër slloven e deklaron për herë avokatinë ndaj Shqipërisë.
Të njejtën deklaratë Basha bëri dhe pas takimit me kryeministrin kroat Andrej Plenkoviç në Zagreb. Gjatë takimit kryedemokrati i garantoi angazhimin europian të qeverisë së tij në rast se fiton zgjedhjet e 25 prillit.
“Kryeministri Plenkoviç garantoi se Kroacia do jetë mbështetje e madhe në këtë proces. Për mua dhe për PD nuk ka asgjë më të rëndësishme se sa përshpejtimi i rrugëtimit europian të Shqipërisë pas ngecjes në vendnumëro gjatë 8 viteve të këtij procesi. Për këtë arsye ne do bëjmë gjithçka për ta bërë realitet këtë ëndërr të shqiptarëve”, tha Basha pas takimit. Teksa pohoi se “mbështetja e një vendi anëtar në BE, siç është Kroacia ka rëndësi të madhe për Shqipërinë dhe ndihma e premtuar nga Plenkoviç do të jetë shumë e vyer”.
Por mbështetja e Sllovenisë dhe Kroacisë për integrimin e Shqipërisë në BE ka mbi 10 vite që ka qënë e vazhdueshme, duke u përfshirë madje dhe nhë rezoluta bashkë me Italinë për përshpejtimin e këtij procesi dhe votimi në të gjitha rastet i raporteve të Komisionit Europian! Kanë deklaruar se janë avokate solide të Shqipërisë në këtë proces dhe e kanë treguar me fakte.
Por këtë qëndrim e kanë konfirmuar dhe në vizitat që kryeministri Edi Rama ka zhvilluar në Slloveni 3 vite më parë, ku personalisht homologu i tij Janez Janša, e ka garantuar se mbvështetja sllovene është e garantuar për Shqipërinë në BE.
“Me ftesë të kryeministrit të Sllovenisë, Janez Janša, për të diskutuar mbi Planin e Madh të Investimeve të BE në Ballkanin Perëndimor, ecurinë e procesit të integrimin europian në Shqipëri e në rajon, gjendjen politike dhe ekonomike të vendeve të rajonit, në kontekstin e përgatitjeve mbresëlënëse të Sllovenisë për mandatin e Presidencës së BE vitin e ardhshëm”, deklaroi Rama pas takimit me Janša. Të njejtin kryeministër që takoi dhe Basha ditë më parë!
Ndërsa Kroacia është një mbështetëse pa kushte për Shqipërinë në BE, duke qënë se vlerësoin shumë dhe kontributin e gjeneralëve dhe ushtarakëve shqiptarë gjatë luftës serbo-kroate.
Ish presidentja e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviç gjatë një vizite disaditore në Shqipëri ku nuk la vend pa vizituar, mbajti dhe një fjalë përshëndetëse në seancën plenare të Kuvendit të Shqipërisë, ku deklaroi se Kroacia do vazhdojë të mbështesë procesin e integrimit të Shqipërisë në BE. Kitaroviç tha se Shqipëria dhe Kroacia janë të lidhura fizikisht me Detin Adriatik.
“Shqipëria ka qenë vendi ynë mik, kur miqtë ishin të paktë dhe më të nevojshëm. Gjatë luftës dhe mbrojtjes sonë shumë shqiptarë u bënë pjesë e forcave të mbrojtjes kroate dhe luftuan për pavarësinë e Kroacisë”, tha Kitaroviç.
Sipas saj, shqiptarët në Kroaci janë tërësisht të integruar dhe janë qytetarë të respektuar të shoqërisë kroate. “Ata janë një shembull i mrekullueshëm se si pakicat mund të bëhen një urë e rëndësishme për përfitimin e të dy kombeve. Mënyra se si ata e duan dhe respektojnë Kroacinë, në të njëjtën kohë duke qenë krenarë dhe shqiptarë patriotë është një shembull i shkëlqyer i ndikimit pozitiv që ka pasur në marrëdhëniet e vendeve tona”, u shpreh presidentja kroate.
Më tej gjatë fjalës së saj, Kitaroviç tha: “Kroacia dhe Shqipëria marrin pjesë si aleate në misionet e paqes dhe operacionet në zonat e krizës, siç është Afganistani. Kroacia i jep një rëndësi të madhe stabilitetit, sigurisë dhe begatisë së Evropës Juglindore e mbështet fuqishëm perspektivën evropiane në të gjithë rajonin. Shqipëria është një partner mjaft i rëndësishëm, jo vetëm strategjik, por edhe politik dhe kjo gjë është pranuar dhe njohur edhe nga BE”.
Duke folur për rrugën evropiane të Shqipërisë, Kitaroviç tha se Kroacia e mbështet fuqishëm rrugën e Shqipërisë drejt integrimit në BE dhe mirëpret të gjithë progresin e dukshëm të bërë nga Shqipëria në përmbushjen e kritereve të kërkuara për anëtarësimin në BE.
“Shqipëria ka perspektiva të shkëlqyera dhe është mjaft e rëndësishme të theksohen shembujt pozitiv dhe BE duhet t’i vlerësojë për këtë gjë. Do të doja t’ju përgëzoja gjithashtu edhe për vendimin e Këshillit Evropian, i cili e ka njohur progresin e bërë nga Shqipëria dhe kjo shtron rrugën për çeljen e negociatave”, deklaroi Kitaroviç.
Në përfundim të fjalës së saj, Kitaroviç u shpreh se Kroacia planifikon të vazhdojë në të njëjtën rrugë përkundrejt zgjerimit të BE-së gjatë presidencës kroate.
“Ne do të investojmë përpjekje të mëdha për të organizuar një samit tjetër ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor. Kroacia do vazhdojë të mbështesë procesin e integrimit në BE të Shqipërisë, duke i ofruar asaj përvojën dhe njohuritë, duke mbështetur ngritjen e kapaciteteve të institucioneve shqiptare, përfshirë forcimin e kapaciteteve administrative dhe institucionale”, u shpreh presidentja Kitaroviç.
Po ashtu në dhjetor 2018 gjatë vizitës së kryeministrit Edi Rama në Zagreb, bashkë me homologun kroat Andrej Plenkoviç, të njejtin që takoi dhe Basha, vlerësuan se Shqipëria dhe Kroacia kanë marrëdhënie të të shkëlqyera dhe nivel të lartë të komunikimit politik si aleatë të NATO-s dhe anëtarë të shumë iniciativave rajonale.
Kryeministri Andrej Plenkoviq shprehu mbështetje të fortë për Shqipërinë në përpjekjet e saj për t’u bërë anëtare e BE, duke pritur që të fillojë negociatat zyrtare për anëtarësim dhe lavdëruar zbatimin e reformave evropiane të kryeministrit shqiptar Rama. Plenkoviç vlerësoi se për të dy vendet viti i kaluar ishte një periudhë e familjarizimit me legjislacionin e Bashkimit Evropian.
Për të mos përmendur më herët qëndrimin e ish presidentit kroat Stipe Mesiç i cili jo vetëm ka qënë në mbështetje të Shqipërisë për integrimin në BE, por qëndrimet e tij hapur pro-shqiptare, duke bërë simbolin e “shqiponjës” dhe duke veshur konstumin kombëtar shqiptar, është treguar më shqiptar se shqiptarët duke acaruar në kulm serbët.
I përmendëm këto fakte për të treguar se Lulzim Basha ka zhvilluar dy takime me avokatë të deklaruar të Shqipërisë shumë më herët si Sllovenia dhe Kroacia, dhe nuk ka bërë as më pak dhe as më shumë por thjeshtë një vizitë te këta avokatë për ta dëgjuar live këtë qëndrim mbështetjeje për integrimin në BE. Por që nuk ka sjellë asgjë të re për shqiptarët, loboi tek miqtë e hershëm.
Dritëro Agolli i madh e ka perifrazuar këtë lloj sjelljeje dikur teksa ka folur për figurën e Sali Berishës në rininë e tij të hershme. “Saliut i kishte humbur lopa. E kërkoi në të gjitha kodrat dhe malet dhe kur e thirrën të kthehej se lopa kishte mbërritur në shtëpi, ai u zemërua aq shumë sa kërkoi dhe dy kodrat që i kishin mbetur pa parë, u kthye në shtëpi, mori lopën dhe e çoi aty ku donte ta gjente”! Mot a mot siç po vepron dhe Basha.
Sepse po të shqetësohej aq shumë për integrimin e Shqipërisë në BE, Lulzim Basha duhej të shkonte dhe të takonte miqtë e tij në Holandë, ku ka dhe familjen dhe shtëpinë, gruan dhe vajzat i ka vetëm me shtetësi holandeze, dhe t’u kërkonte të mbështesnin raportin e Komisionit Europian për çeljen e bisedimeve të BE me Shqipërinë.
Të paktën t’ju kërkonte që të hiqnin dorë nga premtimi që i kishin dhënë për të bllokuar sa të munden negociatat përmes atyre nismave që deputetët miq të Bashës kërkojnë në Parlamentin holandez që t’i hiqen madje dhe vizat Shqipërisë, por që për fat janë rrëzuar.
Parë në këtë këndvështrim, strategët e Bashës në vend që të nxirrnin nga “uji” Bashën me këtë lëvizje të fundit, e kanë zhytur akoma më thellë atë./M.Nikaj-TemA/