Edhe pse shqiptarët nuk janë konsumuesit më të mëdhenj të alkoolit në krahasim me vendet e tjera, përsëri konsumi mbetet i lartë. Vjetari rajonal statistikor i publikuar nga Instituti i Statistikave paraqet të dhëna mjaft interesante rreth konsumit te alkoolit sipas gjinisë dhe sipas qarqeve.

“Scan Intelligence Unit” ka analizuar këto të dhëna duke i paraqitur në grafikët e mëposhtëm ku tregohet në përqindje konsumi i alkoolit për burrat dhe për gratë. Mosha e marrë si studim si për burrat ashtu dhe për gratë është 15-49 vjeç. Siç e tregon dhe grafiku, gratë e qarkut të Beratit, Tiranës dhe të Vlorës kanë përqindjen më të lartë të konsumit të alkoolit, përkatësisht me shifrat: Berati 44.1%, Tirana 40.7% dhe Vlora 36.8%.

Ndërkohë gratë më pak pijedashëse, me përqindjen më të ulët vihen re në qarkun e Kukësit 4.0%, Dibrës 5.0% dhe Shkodrës 7.4%. Bazuar në mesataren kombëtare shohim se 1 në 4 gra kanë konsmumuar alkool dhe për qarkun e Beratit prevalenca e konsumit të alkoolit është 64 % mbi mesataren kombëtare për gratë që konsumojnë alkool.

Beratasit qëndrojnë përsëri ndër të parët sa i përket meshkujve që konsumojnë alkool. Sipas të dhënave të paraqitura në grafik përqindja më e lartë e burrave që konsumojnë alkool është në qarkun e Fierit 88.4%. Beratit 87.1% dhe Lezhës me 67.3%. Jo vetëm gratë, por dhe burrat e qarkut të Dibrës dhe Kukësit, konsumojnë më pak alkool.

Përqindjen më të ulët siç e tregon dhe grafiku i mëposhtëm pra e gjejmë pikërisht në qarkun e Dibërs me 28.2% dhe të Kukësit me 39.1%. Në qarkun e Fierit, burrat konsumojnë 67% alkool mbi mesataren kombëtare.(scan)