Zëvendëskryeministri Erion Braçe teksa informoi mbi situatën e krijuar në Shkodër pas reshjeve intensive që kanë përfshirë vendin bëri të ditur se të gjitha strukturat e shtetit ndodhen në terren dhe po u vijnë në ndihë banorëve të prekur në këtë zonë. Por ai kujtoi se në vitin 2010 me shumë më pak reshje, Qeveria e mbyti katër herë Shkodrën.

“Situata në Shkodër është e vështirë, shumë më e vështirë se në janar të 2010-s kur u mbyt gjithçka. Në janar 2021 ka patur 203.4 mm shi më shumë se në janar 2010, në janar 2021 ka patur 292.3 mm shi më shumë se mesatarja shumëvjeçare e reshjeve në muajin janar. E mbani mend se në janar 2010, me më pak, shumë më pak reshje, Qeveria e mbyti katër herë Shkodrën. Në vitin 2010 më shumë më pak reshje, Qeveria e mbyti katër herë Shkodrën”, tha Braçe.

Ndërsa sot, vijon Braçe, janë reshjet disafish më shumë, fryrja tej çdo shembulli i lumenjve Drin, Bune, Kir, Gjadër etj, rritja e nivelit për këtë shkak të Liqenit të Shkodrës, që po vështirësojnë jetën e njerëzve atje.

Një tjetër arsye, sipas zv/kryeministrit është dhuna mbi natyrën e mjedisin. “Plus një arsye më shumë që do jetë e njëjta kështu përherë. Dhuna mbi natyrën, mjedisin, duke ndërtuar në tokën natyrale të ujit, reshjeve e prurjeve. Kur ndodhi kjo, askush nuk ndërhyri, nuk ndali, nuk tregoi rrezikun e bashkëjetesën në tokën e zënë të ujit”, tha ai.

Shkodra natyrale, theksoi Braçe, ishte ndërtuar tjetërkund. Sipas zv/kryeministrit, prurjet nga Drini në Bahcallëk janë 2200-2400 m3/sek, dalja nga Liqeni i Shkodrës është 1200 m3/sek. Prurjet momentale në Bunë, Dajc janë rreth 2200 m3/sek. Prurjet në Drin, Bahcallëk janë natyrore pra pa ndryshimin nga kaskada e Drinit.