Nga Ardit Rada

Dëbora ka zbardhur një natë më parë Tiranën për të pestin vit me radhë. Kjo është një ngjarje e pazakontë për kryeqytetasit që prej një jave i mbanin sytë te celularët se ç’thoshte parashikimi për orën se kur do të binin flokët e bardhë. Për disa, romantizmit të këtij fenomeni i bashkëngjitej edhe atmosfera e Shën Valentinit. Të kushtëzuar nga masat e pandemisë, i vetmi gezim për fundjavën dhe festën e të dashuruarve mbetej soditja nga dritarja, apo një shëtitje paraditen e së dielës. Por për politikën rezultoi se bora mund të zbardhë rrugët, por jo dëshirën për të vijuar sherrnajat.

Kështu, edhe pse dëbora e parë në vend ka nisur të bjerë qysh në nëntor të vitit të kaluar, opozita veç kur e pa me sytë e saj nga zyrat në Tiranë u bind se mund të sjellë edhe probleme. Lulzim Basha madje është habitur dje nga bllokimi i një ambulance në trafik, ngjarje e zakonshme kjo që e shohim çdo ditë në rrugët e vendit. I bindur se kishte gjetur metaforën e duhur, kreu i PD shkruante se kështu ka ngecur edhe Shqipëria me Edi Ramën.

Këto akuza kishin nisur edhe nga ndokush që teksa ktheje nga pushimet me ski në Kosovë, u habit nga qarkullimi i rënduar rrugor. Në fakt, mirë do të ishte që këto ankesa t’i shprehte ndonjë minator që kthehej nga puna në minierë, i paveshur, pa karburant e pa para për të fjetur rrugëve. Mirëpo në kurthin e akuzave nuk mund të mos ndodhte që të binte edhe kryeministri. Ky i fundit replikoi po me të njëjtën monedhë duke i kujtuar se ç’ndodhte me dëborën apo përmbytjet në qeverisjen e 8 viteve më parë.

Është fakt i pamohueshëm se menaxhimi i situatave ekstreme që sjell moti ka qenë dhe mbetet problem për Shqipërinë. Ndaj edhe rrëshqitjet e rrugëve apo mungesa e borëpastrueseve ka çuar menjëherë në Prokurori kompanitë që kanë firmosur kontrata dhe janë përgjegjëse për lehtësimin e qarkullimit. Por, së pari problematika ka ardhur për shkak se emergjencat civile janë sektori ku historikisht është investuar më pak. Së dyti, sepse për shumë qarqe si Tirana, Durrësi apo Fier këto kushte atmosferike nuk kanë qenë të njohura më parë.

Sot “lu fta” e politikës në Twitter nuk e shkrin magjinë e dëborës në Tiranë dhe as atë në Korçë, Dibër, a Kukës ku ka rënë qysh në nëntor dhe që opozita e pa vetëm sot.