Nga Endri Kajsiu/

Ilir Meta ishte një president relativisht normal deri në datën 25 qershor 2019. Të paktën deri në atë datë, nuk ishte shndërruar ende në një shkelës kronik të Kushtetutës. Ishte dita kur Presidenti i Republikës, nisi atë lojën e famshme që më pas u bë edhe qesharake, të çdekretimit të dekretit të zgjedhjeve lokale. Jo se nuk bënte edhe atëherë plane të fshehta me sivëllanë e tij në Gjirin e Lalzit, ku të dy së bashku thurnin plane për të rrëzuar Edi Ramën, nëpërmjet dy mashave të tyre, respektivisht bashkëshortes së njërit dhe pasardhësit të tjetrit në parti. Këta të fundit, nën nxitjen e Presidentit dhe të Sali Berishës, kishin ndërmarrë ndërkohë edhe aktin “vetëvrasës” politik, të largimit nga Parlamenti.

Në 25 qershor, mund të themi se presidentin e Republikës e lanë nervat. Kuptoi se asnjë prej veprimeve donkishoteske të deri asaj dite, nuk kishin dhënë rezultatin e shumëpritur dhe dyshja të cilës i ishte besuar misioni, kishte dështuar. Dhe kështu, vendosi të heqë mantelin e garantit të Kushtetutës, dhe ta shkelë atë me të dyja këmbët. U betua e u stërbetua se zgjedhje në 29 qershor nuk do të kishte, sepse ai, Ilir Meta, nuk do ta lejonte. Zgjedhjet u zhvilluan. Lulzim Basha dhe bashkëshortja e presidentit i lëshuan të gjitha bashkitë, përveç njërës. Më tej, Presidenti e hëngri turpin me bukë, dhe betimin e moslejimit të zgjedhjeve që e mori era, e zëvendësoi me dekretin e një palë zgjedhjeve që do të zhvilloheshin diku në vjeshtë. U betua e u stërbetua sërish, se zgjedhjet do të mbaheshin, sepse e kishte ndarë mendjen ai. Se Edi Rama nuk do ta kishte të gjatë, se në këto zgjedhje do të ndahej shapi nga sheqeri, se ai, Ilir Meta do i garantonte siç kishte garantuar edhe respektueshmërinë e Kushtetutës.

Zgjedhjet nuk ndodhën. Ilir Metës dhe dekreteve të tij qesharake nuk i besoi as e shoqja, as Luli. Dy vjet më vonë, mund të themi se jemi në kushtet e një deja vù-je. Ilir Meta po bredh fshat më fshat e skutë më skutë. Ndërron në fshehtësi shtëpitë sikur të ishte pjesëtar i ndonjë njësiti guerril e jo president i Republikës, dhe nga dritarja e Facebook-ut lëshon papushim kërcënime. Kushtetutën e bërë leckë tashmë, nuk e përmend më. Përballë braktisjes që i shkakton dëshpërim, përballë shuplakave të njëpasnjëshme të marra këto vite nga ndërkombëtarët, ku më e fundit ishte vlerësimi i lartë që “armiku” i tij Dvorani mori nga Departamenti i Shtetit, Ilir Meta turfullon në mediat sociale dhe betohet për ndryshim epoke në 25 prill. Ashtu si dy vjet më parë, kërcënon dhe shantazhon, turfullon dhe hakërrehet, sulmon “oligarkë dhe mafie ndërkombëtare”, godet diplomatë dhe gazetarë. Stërbetohet se në 25 prill do të rikthejë në pushtet Monikën, Saliun dhe Lulin. Rikthejuni dhe një herë stërbetimeve të 2019-ës, për të kuptuar se si do të shkojë edhe kësaj here.