Kryeministri Edi Rama foli sërish për skandalin te spitali Covid-2 “Shefqet Ndroqi”, ku sanitarja Tire Alldervishi sillej si infermiere, duke zhvatur të afërmit e pacientëve me koronavirus.
Nga qyteti i Sarandës, Rama tha se monstra e “Shefqet Ndroqit” nuk është fytyra e sistemit shëndetësor në vend. Mes të tjerash, ai zbuloi edhe planin e qeverisë në Spitalin e Fierit dhe më tej edhe në spitalet e tjera të vendit.
Rama theksoi se Spitali i Fierit do të funksionojë si modeli turk, ku mjekët do të paguhen në bazë të performancës.
“Ajo monstra e Shefqet Ndroqit nuk është fytyra e sistemit. Adresimi i korrupsionit ka të bëjë me drejtësinë, por dhe me modernizimin, me atë kantierin që duhet të mbarojë. Nuk mund të kemi zgjidhje përfundimtare të çështjes së korrupsionit në shëndetësi, nëse nuk bëjmë kapërcimin tek autonomia shëndetësore. T’u japim mundësinë mjekëve të fitojnë në bazë të asaj që bëjnë, jo të gjithë njësoj. Spitali duhet të administrojë të ardhurat e veta dhe mjekët të ndjehen të motivuar nga paga. Jemi tani në kushtet kur mund ta çojmë përpara këtë projekt. Një nga gjërat që do bëjë Spitali i Fierit është pikërisht kjo. Aty do të ndërtojmë modelin e parë të autonomisë, duke funksionuar spitali brenda sistemit publik shqiptar, por që do të jetë një model menaxhimi si në Turqi, ku nuk marrin të gjithë mjekët njësoj.
Pra, gjithë suporti, çarçafët, batanijet, aparaturat, ushqimi, ndriçimi, ngrohja, etj. i menaxhon privati, gjithë pjesa tjetër që ka të bëjë me mjekët, është publike. Mjekët që do të punojnë në sistemin tonë publik do të paguhen në bazë të performancës. Siç bëhet në spital privat, sipas orëve të punës. Mjekët në Turqi nuk lejohen të kenë klinikë private, sepse brenda spitalit publik ata mund të punojnë sa orë të duan, nuk bëjnë një turn në publik e pastaj të ikin te privati. Punojnë te publiku dhe marrin para më shumë. E bëra këtë për të thënë që korrupsioni është sistem dhe luftohet me anti-sistem, që në këtë rast është modernizimi”, u shpreh Rama.