Dy vjet nga djegja e mandateve të deputetëve të opozitës, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ironizoi Lulzim Bashen si njeriu qe ka zeruar Partine Demokratike. Gjatë një takimi me banorë të Njësisë 1 në kryeqytet, drejtuesi politik i PS për Qarkun e Tiranës, shtoi se Basha është i vetmi lider që e mori PD me 43 deputete dhe sot s’ka asnje.
“Sot bëhen dy vjet nga lënia e mandateve. Për çfarë duhet të votojë dikush PD-në, e cila kishte 43 deputetë dhe me Lulin shkoi zero? Kishte 25 kryetarë bashkie dhe me Lulin shkoi zero. Kishte 1200 këshilltarë bashkiakë dhe me Lulin shkoi zero. I morëm dhe në qeveri në 2017-ën, dolën me keq. Më keq se u ka bërë ai që i drejton, Lul Basha, PS nuk ua ka bërë kurrë. Ne mund t’i kemi lënë në opozitë, por zero ne nuk kemi arritur t’i bëjmë dot,” tha Veliaj.
Kreu i Bashkisë së Tiranës tha se Lulzim Basha, me sulmet në seri ndaj oligarkëve, ishte i pari që përfitoi nga secili prej tyre.
“Thotë “oligarkët-oligarkët” dhe sa kap vilat te “Vala Mar”, aty mbaron filmi. “Oligarkët-oligarkët” dhe sa kap benzin nga nënkontraktori i Astirit, aty mbaron filmi. “Oligarkët e koncesionarëve të makinave” dhe sa kap vilat në Lundër, aty mbaron filmi. “Oligarkët e rrugëve dhe të traut të Kukësit” dhe sa kap katin e parë të hotelit, aty mbaron filmi,” u shpreh Veliaj.
Ai tha se Partia Socialiste ka sot forcën sociale, forcën historike, por dhe forcën morale të përballet me kokën lart në këto zgjedhje.
“Nuk jemi parti e kunetërve, e dhëndurëve, burrave dhe grave. Është katërcipërisht ndryshe nga partitë nepotike, apo që sa herë e kanë patur në dorë e kanë shkatërruar këtë vend. Ngado të kthesh sytë, në Tiranë ka transformim. Është ndryshe nga ajo kohës se gjumit. Është ndryshe kur duhet të njihje një kunat a një dhëndër për të çarë, a për të ecur përpara në këtë qytet,” përfundoi Veliaj.