COVID i ka marrë jetën nënës së deputetit socialist Besnik Baraj. Është vetë deputeti ai që e bën të ditur lajmin e trishtë përmes disa rrshtave prekëse në rrjete sociale, ku përshkruan momentet e fundit të nënës së tij para se të ndërronte jetë dhe kujtimet e bukura që i ka lënë ajo.
“Netëve, tek rrija pranë nënës, ku sasia e oksigjenit varionte nga 50% në 90%, e dëgjoja tek rënkonte: Oh nëna ime!’ Për të ishte ende e gjallë nëna e saj!!! Sot unë e humba nënën time, por duket nëna vdes kur vdesin dhe fëmijët e saj. Edhe unë përjetë do e kem në mendje dhe zemër, aq më tepër, kur ruaj kujtime të mrekullueshme, kur edhe në qortime ishte aq e ëmbël, kur nuk e ngriti zërin kurrë me asnjërin prej fëmijëve. Ishte ajo që krijoi një familje harmonike ku dhe mbolli shumë dashuri. Përjetë mirenjohës për gjithҫka që na edukoi e mësoi”, shkruan ai.
Baraj shprehet se COVID i ka ndryshuar tashmë edhe mënyrën se si mendon, ndaj u ka bërë apel të gjithëve që të bëjnë kujdes maksimal për të mbrojtur të moshuarit.
“Sot, shumë miq e të afërm më kanë qortuar që nuk i lajmërova për t’i bërë nderimet e fundit. Në kushtet ku Covidi po merr jetë njerëzish, madje edhe të rinj në moshë, e pamë me vend të kufizohemi vetëm në rrethin e ngushtë familjar. Para se Covidi të futej në shtëpinë tonë, kurrë nuk mendoja si sot. Më besoni miq, vlerësojeni dhe përpiquni të izoloni maksimalisht të moshuarit, përndryshe do pendoheni dhe do humbisni të dashurit tuaj…. Është një cmim që nuk ja uroj askujt! Ju falenderoj të gjithëve për dashamirësinë e treguar, për mesazhet tuaja. Uroj të keni vetëm mbarësi në familjet tuaja”, shton Baraj.
Shifrat e COVID në vendin tonë vijojnë të jenë të larta. Dje ministria e Shëndetësisë, në bilancin e 24 orëve të fundit raportoi 986 raste të reja me COVID nga 3957 testime të kryera në total dhe 19 viktima. Që prej fillimit të pandemisë deri më tani janë prekur 106,215 qytetarë teksa Tirana vijon të mbetet qyteti me shifrat më të larta ku këtë të shtunë u raportuan 461 raste të reja. COVID i ka marrë jetën ditën e djeshme edhe bashkëshortit të ish-deputetes së Partisë Socialiste Valentina Leskaj.