Nga Christy Tirrell-Corbin, Carlomango Panlilio and J.Bart Klika, The Hill
Rochelle Walensky, drejtori i Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), dha një njoftim për strategjitë e nevojshme për rihapjen e shkollave gjatë pandemisë.
Megjithëse larja e duarve, distancimi fizik, mbajtja e maskave janë të rëndësishme, vetëm këto strategji nuk do të sigurojnë që fëmijët të jenë të shëndetshëm dhe të mësojnë.
Ajo që duhet të merret parasysh gjithashtu janë edhe përvojat e tyre të lidhura me COVID-19, veçanërisht për fëmijët në komunitete, ku infeksioni dhe niveli i vdekshmërisë kanë qenë më të larta, nivelet e vaksinimit më të ulëta dhe niveli i pabarazisë në rritje.
Në mënyrë që të trajtojmë një kompleksitet të tillë në përvojat e fëmijëve, njerëzit nuk mund të mbështeten te mësuesit dhe shkollat për t’ia dalë mbanë vetëm. Një strategji e tillë kërkon qasje të bazuar në shkollë në shërbimet e shëndetit mendor, të cilat Presidenti Biden e ka theksuar se mungon.
Për më tepër, një raport i fundit tregon se vetëm 15 përqind e shteteve kanë plane adekuate për të adresuar nevojat socio-emocionale të studentëve si rezultat i përvojave të tyre të lidhura me COVID-19.
Duke e ditur këtë, si do të përgatiten shkollat për të adresuar nevojat e shëndetit socio-emocional dhe mendor të shkaktuar nga pandemitë kur fëmijët të rikthehen në shkolla?
Për më tepër, si do të trajtohet trauma e lidhur me COVID pa ngarkuar më tej mësuesit tashmë të mbingarkuar?
Traumat që gjithsecili prej nesh ka kaluar nga kjo pandemi globale kanë nxjerrë në pah shumë pabarazi që janë përhapur në të gjithë vendin. Përveç kësaj distancimi fizik ka çuar në izolim shoqëror, duke rritur edhe më tej ankthin dhe çrregullimet e stresit post-traumatik (PTSD) të përjetuara nga shumë fëmijë dhe adoleshentë.
Sipas një raporti, pandemia ka dyfishuar numrin e vetëvrasjeve.
Kur shkollat ishin të hapura, mësuesit kishin kontakte personale, formale dhe joformale me studentët. Sidoqoftë, shkollimi përmes videove nuk ofron shumë mundësi për të vlerësuar efektet e COVID-19 në jetën e studentëve.
Kompleksiteti i këtyre përvojave të drejtuara nga pandemia, nënvizon nevojën për një qasje më të gjerë të komunitetit për parandalimin e pasojave më të rënda. Plani i Presidentit Biden për mësuesit, studentët dhe e ardhmja e tyre përfshijnë një fokus në shëndetin mendor dhe mirëqenien për studentët dhe mësuesit.
Sidoqoftë, një përpjekje e tillë kërkon kohë, gjë që nuk e kanë shkollat, komunitetet dhe më e rëndësishmja, fëmijët. Derisa Kongresi të miratojë një plan gjithëpërfshirës arsimor, është e nevojshme që të adresohet në mënyrë të menjëhershme epidemia e pabarazisë.
Në mënyrë të veçantë, fondet për lehtësimin e COVID duhet të përfshijnë grante për shtetet dhe komunitetet lokale për të adresuar nevojat e COVID, duke hedhur në këtë mënyrë bazat për planin e Presidentit Biden.
Financimi është rruga kryesore edhe nëse politikëbërësit vendosin të mos e zbatojnë këtë përpjekje, shkollat do të detyrohen të marrin vetë masat, e cila në mënyrë të pashmangshme do të çojë në një dështim.
Sigurisht kostoja do të jetë e madhe dhe shqetësuese. Sidoqoftë, ky është një investim në ” ekonominë e potencialit njerëzor “, i cili përqendrohet në suksesin e hershëm arsimor si themeli i një fuqie punëtore kontribuese.
Amerikanët besojnë se grantet e propozuara për komunitetin duhet të kërkojnë të dhëna bazë për përcaktimin e fushave me nevoja më të mëdha, alokimin e burimeve dhe efektivitetin e politikave.
Kjo është veçanërisht e rëndësishme në vlerësimin e shkallës në të cilën do të adresohen pabarazitë. Ndërsa kostoja e këtyre iniciativave mund të jetë e lartë, kostoja e vazhdimësisë së pabarazive duke injoruar nevojat holistike të studentëve do të jetë shumë më e lartë. Përktheu Sonila Backa-abc