“Familja e Fatos Xhixhës në fshatin Qinam, Zall-Herr, është mes 104 familjeve të kësaj periferie malore të Tiranës, të cilat po kthehen në shtëpitë e rindërtuara pas tërmetit të 26 nëntorit 2019”. Kështu u shpreh Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj gjatë vizitës sot në familjen Xhixha, e cila ka hyrë në shtëpinë e re. Gjatë vizitës Kryeministri Rama tha se, “ne vijmë këtu që të tjerët që presin të shikojnë që ndërkohë po vijon puna dhe njerëzit po futen nëpër shtëpi. Se po të jetë për televizorin dalin vetëm llafet dhe jo puna, dalin historitë e kronikave të zeza që janë të gjithë botën, por atje janë të një minute, ndërsa këtu fillon e mbaron historia. Sikur të merret me kronikë të zezë televizori në Itali duhet të mbash lajmet 6 orë ndez, se nuk mbarojnë historitë që ndodhin, ose në Amerikë”.
Gjatë vizitës Kryeministri Rama foli edhe për vendimin e KQZ-së që gjobiti kreun e bashkisë Erion Veliaj për shkelje për mosraportim të aktiviteteve publike. “Gjoba do sqarohet, sepse këto s’janë inaugurime. Puna për rindërtimin nuk mund të quhet propagandë, as përurim, por është pjesë e informimit të të tjerëve se ka akoma njerëz që janë në çadër, kabina. Duhet ti mbajmë me informacion, kështu njerëzit shikojnë realitetin. Kështu ju shikojnë ju, shikojnë ku jemi gati një orë për të ardhur nga poshtë dhe shikojnë që kjo punë vazhdon”, – theksoi Rama.
Kreu i qeverisë u shpreh se, “ne nuk kemi pasur vetëm sfidën të bëjmë çfarë është prishur por të prishim çfarë është bërë keq dhe ta bëjmë mbarë”.
“Thonë përse e doni mandatin e tretë. Mandati i tretë duhet për të vazhduar betejat. Beteja me tërmetin s’ka mbaruar, la mbrapa gjithë ato fatkeqësi. Duhet të mbarojmë betejën me COVID-19, betejën me shëndetësinë që ta bëjmë siç duhet në të gjitha drejtimet, vaksinimin do ta bëjmë. Po fshatrat që kanë nevojë për punë shumë. Janë bërë shumë punë në unazat bujqësore, në fshatrat turistike, por ka fshat si ky këtu që kanë nevojë për punë. Për të gjithë këto arsye duhet të vazhdojmë punën”, – nënvizoi Rama. Më tej Rama tha se, “tërmeti erdhi për keq, por mbas kësaj vuajtjeje u kthye për mirë, se më në fund u bëtë me shtëpi të re. Janë mijëra e mijëra familje që hyjnë në një shtëpi më të mirë, më të bukur, më të fortë e më të madhe se ajo që kishin. Por edhe fëmijët shkojnë tani në shkolla që janë më të bukurat në Shqipëri, se ishin shkollat më të vjetra, akoma të parindërtuara, por edhe për qendrat shëndetësore. Apo edhe spitalet, si spitali i Laçit që ishte i vjetër copë-copë, tani po bëhet i ri. Po kthehet për mirë e gjithë kjo, por do durim të madh kjo”.
Familjarët e falënderuan Kryeministrin Rama për shtëpinë e re, pasi shtëpia e vjetër e tyre që u shemb nga tërmeti ishte ndërtuar që në 1965. Në njësinë administrative Zall-Herr po rindërtohen 161 shtëpi individuale të shpërndara në fshatra të njësisë, si dhe 49 banesa në lagjen e re.