Autoritetet franceze të shëndetësisë njoftuan të martën se vaksina kundër koronavirusit e AstraZeneca duhet t’u jepet vetëm personave nën 65 vjeç. Ky është zhvillimi i fundit nga një vend i BE që miraton kufizime të tilla për këtë vaksinë duke e justifikuar me efikasitetin e pamjaftueshëm të saj për të moshuarit.
Rregullatori i BE-së për barnat ka aprovuar vaksinën Oxford-AstraZeneca për të gjithë të rriturit, por i takon secilit anëtar të përcaktojë politikën e tij të përdorimit.
Gjermania dhe Austria tashmë kanë rekomanduar që ajo të kufizohet vetëm nën moshën 65 vjeç.
Ka pasur kritika për ritmin e ngadaltë të vaksinimeve në BE dhe fushata është goditur nga vonesat në dërgesat e vaksinave AstraZeneca dhe Pfizer.