Nga Adriatik Doçi/ Lulzim Basha prezantoi sot programin e tij për arsimin, ku një ndër hartuesit e tij është dhe ish-ministri i Arsimit në kohën e Berishës, Myqerem Tafaj. Ky i fundit, bashkë me Berishën kujtohen dhe për licencimin e një numri të madh universitetesh kioska të cilët prodhuan diploma pa fund gjer në mbylljen e tyre pas 2013-s. Mungesë infrastrukture, pedagogësh, kontrata të paligjshme kontraktuale, mungesë pjesëmarrjeje nga ana e studentëve, diploma që lëshohen me klering, në këmbim të lyerjes së institucionit apo të prodhimeve blegtorale e druve të zjarrit, janë të dhënat e frikshme të auditit që doli për pjesën dërrmuese të universiteteve të licencuara nga qeveria “Berisha”. Sikurse mund të shihni dhe nga këto dokumentet, është pikërisht Kryeministri Sali Berisha i cili ka firmosur personalisht licencimin e universiteteve “kioska”.
Kujtojmë që edhe Renzo Bossi, djali i liderit të Lega Nord, Umberto Bossi, është diplomuar në Shqipëri në shtator të vitit 2010 për Administrim Biznes në Universitetin privat “Kristal” pa ardhur fare në Shqipëri. Ndërkohë në një raport sekret që Organizata Ndërkombëtare e Monitorimit të procesit (ONM), ka lënë në tavolinat e Komisionit të Përhershëm të Kualifikimit (KPK) dhe të Kolegjit të Apelimit (KA), fshihet skandali me nivelin dhe cilësinë e arsimimit, diplomimin, kualifikimet pas-universitare dhe titujt e gradat shkencore të dhëna gjatë kohës që në qeveri ishte Berisha. Sipas raportit sekret të ONM, nga 730 prokurorë e gjyqtarë, 232 prej tyre kanë marrë “Master”, tituj e grada “Prof.Dr, Prof.Ass. Kandidat Shkencash, Dr, As. Prof. dhe lloj-lloj titujsh e diplomash të tjera, në ish-universitetet tezga “Kristali”, “Vitrina” e kioska të tjera të cilat u licencuan gjatë qeverisjes së PD-së. Skandali thellohet më tepër, kur mëson se ONM, ka zbuluar 19 prokurorë dhe 17 gjyqtarë, pa shkollë mesme të përfunduar (me 2-3 vite), por në dosje kanë futur diploma që tregojnë “shkollë të përfunduar”, madje me nota mesatare 8-9, si rasti i kryeprokurorit Lalla, 7 pret të cilëve, kanë qenë ish-drejtues prokurorie, në rrethe me “ngarkesë pune”.