Humb betejën me COVID në moshën 79-vjeçare Xhemajlije Hoxha Demaçi, bashkëshortja e veprimtarit të çështjes shqiptare, Adem Demaçi. Lajmin e trishtë e bën me dije djali i saj, Shqiptar Demaçi përmes një postimi në llogarinë e tij në ‘Facebook’.

“Ju njoftojmë se nëna, vjehrra e gjyshja – Xhemajlije Hoxha Demaçi ndërroi jetë sot pasdite nga pasojat e Covid 19. Varrimi bëhet nesër në ora 12:30 në varrezat e Lagjes Arbëria (ish -Dragodani) nga rrethi i saj familjar. Të pame nuk do të organizohet për shkak të pandemisë”, -ka shkruar ai.

Adem Demaçi është simbol i sakrificës dhe rezistencës kombëtare, duke motivuar breza të tërë të kosovarëve që të mos heqin dorë nga lufta e drejtë për liri dhe pavarësi. Krahas krijimtarisë letrare, ai ishte shumë i gjallë në kontaktet e tij në mesin e inteligjencës së re dhe shumë i afërt me popullin e thjeshtë të Kosovës së robëruar. Ai nuk nguroi që në dasma, në të pame dhe ndeja të ndryshme, me guxim dhe haptas të dënonte padrejtësitë e shumta të cilat regjimi serb vazhdimisht, në mënyrën më të vrazhdë, ushtronte ndaj shqiptarëve.

Emri i Adem Demaçit po lakohej me dyshim të madh nëpër zyrat e policisë sekrete serbe. Kupa po mbushej. Ai do të vihej, shumë shpejt, para provës dramatike jetësore: ose do të përkulej dhe do të inkorporohej në strukturën e regjimit, në funksion të vazhdimit të robërimit të popullit të vet, ose do të shqelmohej pa mëshirë nga regjimi dhe do të kalonte nëpër kalvarin e pafund të mundimeve.