Kryeministri Edi Rama tha se kontrata për aeroportin e Rinasit është transparente. Sipas tij, kompania shqiptare e mori nga kinezët dhe se në marrëveshje parashikohet që çmimet të jenë të ulëta.
Sipas Ramës, aeroporti do të kthehet në një kantier investimesh të reja që nuk janë bërë më parë nga kinezët.
“Unë jam i lumtur që aeroporti kaloi nga kinezët te shqiptarët. Jam i lumtur që aeroporti do të ketë më në fund çmime normale. Ishte aeroporti më i shtrenjtë i Evropës. Unë kam marrë mallkime, sharje, përqeshje, ankesa sepse njerëzit me të drejtë ankoheshin për çmimet dhe nuk e kuptonin që këtë nuk e kisha në dorë unë, por e kishte kinezi me kontratën e bërë shumë kohë më parë.
Jam i lumtur që aeroporti do të kthehet në një kantier investimesh të reja që nuk janë bërë më parë nga kinezët. Terminali i ri që do të fillojë menjëherë. Pista e re që do të zgjatet dhe do të hyjë në parametrat e një piste që do të funksionojë edhe për avionët e mëdhenj.
Parashikueshmëria mbi bazën e marrëveshjes së re është që të gjithë, edhe ju, edhe vetë ata që e kundërshtojnë kot këtë gjë, do të kenë udhëtime 25% më të lira. Janë kthim në normë dhe konkurrueshmëria e aeroportit.
Unë nuk punoj për zgjedhjet, sepse lexoj shumë që thonë se tani që po vijnë zgjedhjet….
Investimet në aeroport do fillojnë menjëherë. Çdo me thënë kjo, apo më mirë që e kishin kinezët. Kur e kishin kinezët nuk dilnin këta dhe thoshin që do ta anulojmë kontratën. Sapo e merr një shqiptar, që nuk e mori nga qeveria e Shqipërisë, por e mori nga kinezët, menjëherë fillojnë xha Gajdurët dhe flasin. Kjo është kulmi.
Ndërkohë që kontrata është e qartë dhe transparentë dhe duhet lexuar siç ju shpjeguam taksën progresive. Sepse ndryshe del me humbje 4 mld, po ju jap një shifër se mund të dalë dhe 14 mld”, tha Rama.