Kryeministri i Japonisë, Yoshihide Suga, njoftoi zgjatjen e periudhës së gjendjes së jashtëzakonshme të zbatuar kundër koronavirusi. Në një konferencë për shtyp, kryeministri Suga njoftoi zgjatjen deri më 7 mars në 10 rajone të gjendjes së jashtëzakonshme e cila zbatohet në 11 rajone në kuadrin e masave kundër COVID-19 dhe e cila ishte parashikuar të përfundonte më 7 shkurt.
Suga theksoi se vendimin në fjalë e kanë marrë mbi rekomandimin e Bordit Këshillimor për COVID-19 të lidhur me qeverinë. Pasi tërhoqi vëmendjen se numri i rasteve në mbarë vendin ka filluar të ulet, Suga tha që “Mendoj se tek kjo kanë qenë efektive masat për vendet e ngrënies dhe pirjes, por duke vazhduar gjendjen e jashtëzakonshme duhet të ulim numrin e të sëmurëve rëndë nëpër spitale”.
Gjendja e jashtëzakonshme do të vazhdojë deri më 7 mars në kryeqytetin Tokio, zonat përreth Kanagawa, Saitama, Chiba si dhe në rajone të ndryshme të vendit si Aichi, Gifu, Osaka, Kyoto, Hyogo, Fukuoka. Ndërkohë theksohet se gjendja e jashtëzakonshme në Tochigi do të përfundojë më 7 shkurt. Më 13 janar u mor vendimi që zbatimi i gjendjes së jashtëzakonshme që u shpall më 7 janar në Tokio dhe 3 rajone përreth saj të zgjerohej në 11 rajone ku jeton gjysma e popullsisë së vendit.