Data e lindjes ka ardhur dhe ka kaluar, ndërkohë që ju vazhdoni të jeni ende shtatzënë. Çfarë po ndodh? Në fund të fundit, data është thjesht një supozim apo parashikim i përafërt se kur mund të lindë fëmija. Është krejt normale që ai të lindë një ose dy javë para apo edhe pas datës
së caktuar. Në fakt, shtatzënia duhet të vazhdojë edhe dy javë pas datës së caktuar, që të quhet zyrtarisht e vonuar, apo siç njihet ndryshe, të fillojë periudha e pas shtatzënisë. Jeni më të prira të keni një shtatzëni të vonuar, në qoftë se:
-data e fillimit të ciklit tuaj të fundit menstrual, nuk dihet me saktësi. Kësisoj, data e parashikuar për lindjen mund të jetë e gabuar; -kjo është shtatzënia e parë;
-në rast se keni pasur më përpara shtatzëni të vonuara; – shtatzënitë e vonuara kanë prirje të ndodhin në familjen tuaj; -fëmija është djalë.
Rrallëherë, një shtatzëni e vonuar mund të lidhet me problemet e placentës apo edhe të fëmijës. Ju do të vazhdoni me kontrollet edhe nëse shtatzënia vazhdon pas datës së përcaktuar për të lindur. Kështu, mjeku do të vazhdojë të monitorojë shëndetin tuaj dhe të fetusit. Ai do të kontrollojë edhe qafën e mitrës për të parë nëse ka filluar të hollohet dhe të zgjerohet, në pritje të dhimbjeve të lindjes.
Në rast se ka kaluar më shumë se një javë që nga data e lindjes, mjeku mund të kontrollojë rrahjet e zemrës së fetusit, përmes një monitori elektronik apo të përdorë kontrollin me ultratinguj për të parë lëvizjet e tij si dhe për të matur sasinë e lëngut amniotik