Që nga vjeshta e vitit 2017, Cristiano Ronaldo nuk ka mbetur “thatë” për më shumë se tri ndeshje radhazi në kampionat. Midis tetorit dhe nëntorit të atij viti, me fanellën e Real Madridit, ai nuk shënoi dot kundër Eibar, Girona, Las Palmas dhe Atletico. Që nga ai moment, ky lloj “agjërimi” në La Liga dhe Serie A nuk ka zgjatur kurrë më shumë se tri ndeshje. Në këtë kuptim, Paulo Fonseca dhe Roma kanë shumë për t’u shqetësuar, duke marrë parasysh se ndërkohë, CR7 ka treguar tashmë në Kupën e Italisë se ka dëshirë të çmendur të kthehet në rrugën e duhur.
Portugezi duket i etur të rifitojë “Scudetto” me Juven, pa lënë asgjë t’i shpëtojë rrugës midis Kupës së Italisë dhe Ligës së Kampionëve. Ndërkohë, Superkupa e Italisë është arkivuar tashmë. Në aspektin personal, portugezi po shkon drejt rekordeve të reja të pabesueshme. Ai mund të bëhet lojtari më i shpejtë, që shënon 100 gola në historinë e Juves. Për këtë i duhen 13 gola në 11 ndeshjet e ardhshme, që të mposhtë rekordin e Omar Sivori.
Pra, për luzitanin ka gjithmonë sfida të reja. Në moshën 36 vjeç (festoi ditëlindjen dje), Ronaldo mbetet një shembull për të gjithë brenda fushës. Edhe Andrea Pirlo nuk mund të bëjë asgjë tjetër, veçse të lartësojë profesionalizmin dhe urinë e tij, duke e përkufizuar atë siç ndoshta askush nuk e kishte bërë më parë: “Një hero”. Sipas trajnerit bardhezi, si të gjithë anëtarët e tjerë të “gardës” së vjetër të Juventusit, portugezi është hero, pasi tregon gjithnjë e më shumë uri për fitore, pavarësisht kalimit të moshës:
“Unë dija për profesionistin dhe lojtarin. Por, ta shihje duke u stërvitur çdo ditë ishte një surprise. Ronaldo ka ende një pasion të madh, argëtohet duke luajtur dhe stërvitur. Kjo është gjëja kryesore, sepse është 36 vjeç, ka fituar gjithçka, madje i mbingarkuar me trofe, ka thyer të gjitha rekordet. Nëse i keni akoma këto motive, ju jeni një hero. Dhe si ai kemi Buffon, Chiellini, Bonucci… E kanë këtë pasion dhe kjo i çon ata të fitojnë më shumë trofe”.
Një nga sekretet, pra, është i gjithi në diçka që nuk mund të mësohet: ose e keni, ose nuk e keni. Ronaldo e ka atë dëshirë, më shumë se kushdo tjetër në botën e futbollit, ndoshta në të gjithë historinë e këtij sporti…