Nga Bledi Lumani/“Nuk e shpjegoj dot, se çfarë janë ata shqiptarë që mund të votojnë akoma këtë qeveri dhe Edi Ramën”. Kështu sokëllinte Fatos Lubonja nga një studio, mbrëmjen e djeshme. Kjo në fakt, nuk është një tezë e re e opozitës. Kanë tetë vjet, që njerëz të saj, akuzojnë popullin, se e ka fajin që voton Ramën dhe jo Partinë Demokratike dhe LSI. Këtë tezë e artikuloi vetë Berisha i pari, pasi humbi zgjedhjet e 2013-s. Ai bëri përgjegjës pikërisht popullin, për humbjen e tij. Dhe kanë tetë vjet që e përsërisn këtë tezë.

Madje Lubonja arriti deri aty, sa t’i kërkonte llogari popullit pse nuk voton kundër Ramës, edhe për tërmetin dhe pandeminë, të cilat në fakt, nuk i shkaktoi Rama, por, me aq takat sa ka ky shteti ynë i varfër që e kanë bërë copë këto 30 e kusur vite, po përpiqet të ndreqë diçka. Ndoshta do të vazhdojnë edhe pas 25 prillit, që prapë t’ia hedhin fajin popullit. Vetëm se, ndoshta ka ardhur koha që para se të drejtojnë gishtin nga populli, ta kthejnë njëherë nga vetja e vet.

Se nuk mund t’i kërkosh llogari popullit, kur si alternativë të Edi Ramës iu nxjerr Sali Berishën, Ilir Metën e dy pupacët e tyre, Lulzim Basha e Monika Kryemadhin. Provoni të ndryshoni njëherë ofertën politike dhe atëhere kërkojini llogari popullit. Jo ju ofroni si alternativë dy kufoma politike dhe pastaj thoni se ua ka fajin populli që s’ju voton. Nëse doni të mundi Ramën e “korruptuar” e “kriminel”, atëhere bëjeni si duhet, që t’ju votojnë. Mos i nxirrni përballë, dyshen simbol të korrupsionit dhe kriminalizimit të vendit. 30 vjet janë shumë, që edhe populli më i prapambetur në botë, të vazhdojë të votojë për të njëjtën alternativë. Kur të ofroni një alternativë të re, atëherë ndoshta keni të drejtë t’i kërkoni llogari popullit.Deri atëherë, ta gëzoni Edi Ramën!