Zv. kryeministri Erion Braçe ka reaguar për faktet e reja që janë publikuar në investigimin e Report Tv, ku tregohet se si ish-kryeministri Sali Berisha privatizoi qendrën më të madhe sportive në zemër të kryeqytetit, Kompleksin “Partizani ” për familjen e tij. Me anë të një reagimi në rrjete sociale, Braçe e quan këtë historinë më neveritëse të konfliktit të interesit në një qeveri, ndërsa akuzon Berishën dhe familjen e tij si shkatërrues të klubit Partizani. “Historia me neveritëse e konfliktit të interesit në një qeveri; Kështu e këta-familja Berisha, shkatërruan klubin Partizani! Paraja që Sali Berisha e mbulon me ideologji”, shkruan Braçe.
Për këtë kompleks me përmasa 26.000 metra katrorë, në fund u pagua vetëm 14.000 euro. Në atë tokë sot janë ndërtuar dhe po ndërtohen ende dhjetra kulla të kompleksit Magnet 1 dhe Magnet 2 që vlejnë 4.000 herë më shumë, nga të cilat Jamarber Malltezi, dhëndri i Berishës është bashkëpronar me mbi 40% të aksioneve. Bazuar në faktet e renditura nga investigim lidhur me shifrën e paguar, Braçe shkruan se kjo është paraja që Berisha e mbulon me ideologji. Falë punës kërkimore nëpër arkiva të ndryshme Report TV ka gjetur edhe dokumentat e pabotuara përpara që hedhin dyshimet edhe mbi origjinën e vërtetë të pronës.
Ajo që del nga investigimi është një histori me një mijë pika të errëta, në të cilat shfaqen jo vetëm dyshime për korrupsion dhe abuzim, por që mbi të gjitha, tregojnë sjelljen e një sistemi të tërë shtetëror që, me përjashtime të rralla, pranoi të gjunjëzohej para Sali Berishës duke shkelur çdo normë etike dhe çdo procedurë vetëm që t’i shërbente shefit të tyre.