Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, ka zhvilluar sot një takim me gratë e Kurbinit, ku ka shprehur para tyre të gjitha projektet që ka LSI, me në fokus gruan dhe punësimin e saj në vazhdimësi. Kryemadhi tha se bashkia e Kurbinit është një nga më të varfërat në vend, dhe të rinjtë atje kanë një jetë të vështirë, plot ëndrra dhe dëshira, që vështirë t’u realizohen. Janë miliona shqiptarë sipas saj që i drejtohen kishës së Shna Ndout për të plotësuar këto ëndrra dhe dëshira, për të larguar skamjen dhe varfërinë. Për hir të së vërtetës dhe kreu i PD Lulzim Basha dhe presidenti i vendit Ilir Meta, janë lutur tek Kisha e Shna Ndout për të gjetur derman përballë Edi Ramës dhe fituar përballë tij!
“Gruaja për LSI-në është themeli i familjes, është themeli i shoqërisë. Pa gratë shoqëria jonë nuk do të kishte të mundur që të krijonte hapësira për fëmijët, familjen, rritjen dhe shkollimin e fëmijëve. Jo se ne i bëjmë gjërat vetëm, por është një nga elementët nxitës të gjithë shoqërisë dhe familjes sonë. Unë u jam mirënjohëse sepse kam një emocion të veçantë për qarkun e Lezhës. Mandatin e 2013 unë e kam marrë në Lezhë, ku kam qenë deputete për herë të dytë dhe për hir të së vërtetës ka qenë një mandat mjaft i vështirë, por edhe shumë domethënës për mua dhe për LSI-në.
Dua të jem koshiente që sot në Bashkinë e Kurbinit është shumë e vështirë jeta e çdo të riu, të reje, familjari dhe aq më shumë e grave. Sepse një nga problemet kryesore që kanë sot familjarët është i papunësisë. Jo vetëm papunësia, por edhe mungesa e fuqisë ekonomike, zhvillimit, e krijimit të hapësirave për punësim, duke pasur parasysh që Bashkia e Kurbinit ka gati 13 km vijë bregdetare dhe investimet në turizëm janë shumë të vogla.
Për të vazhduar pastaj për turizmin religjioz, të martat në kishën e Shna Ndout, ky mbi 2 milionë qytetarë vijnë dhe luten për të realizuar ëndrrat dhe dëshirat e tyre.
Ashtu sikurse është edhe një nga bashkitë më të varfra për sa i përket krijimit të hapësirave për vendet e punës, apo për punë të mirëpaguar”, Kryemadhi.