Kryeministri Edi Rama në forumin e përjavshëm ekonomik u fokusua në masat që u morën që nga momenti i parë dhe vijuan gjatë gjithë përiudhës kur vendi u përball me dy fatkeqësi madhore, që nga tërmeti tragjik i nëntorit deri në përballjen me armikun e padukshëm që goditi të gjithë botën.
“Dëshirojmë të përqëndrohemi tek tre aspekte shumë të rëndësishme, që janë besoj edhe tre gurë themeli për mandatin e tretë dhe punën në vijim, në kushtet e një situate të jashtëzakonshme, e cila për ne shqiptarët ka nisur përpara se të niste për mbarë botën sepse ne na u desh të përballemi me një tërmet katastrofik që jo vetëm privoi në pak sekonda nga streha mijëra familje, shkatërroi dhjetra shkolla, por imponoi edhe një rishikim thelbësor të prioriteteve si dhe një financim masiv në një drejtim të papritur: rindërtimin. Më pas erdhi armiku i padukshëm, i cili ka goditur fort ekonominë e të gjitha vendeve, ka influencuar ndjeshëm aktivitetin ekonomik të të gjithë aktorëve të mëdhenj e të vegjël, ka po ashtu diktuar rënien e kërkesës, goditjen e zinxhirëve të furnizimit dhe kufizime në flukset e parasë. Gjithsesi, ne jemi përballur me forcë, me kurajo dhe me shumë vullnet e angazhim me të dy këto fatkeqësi. Ajo për të cilën unë jam krenar për punën tonë është që në asnjë moment nuk i kemi lënë vetëm, ata që kanë qënë më të ekspozuar ndaj këtyre dy fatkeqësive: familjet që po kthehen në shtëpi javë pas jave, ndërkohë që ata që janë në pritje të kthehen në apartamente të reja vazhdojnë të qëndrojnë në shtëpi me qera të paguara nga qeveria dhe sigurisht të gjithë kategoritë e aktivitetit ekonomik duke u përqëndruar padiskutim tek më të vegjlit,” deklaroi Kryeministri Rama.
Rama shpjegoi ndryshimin e rëndësishëm që ka ardhur si pasojë e zerimit të tatim fitimit dhe TVSH për biznesin e vogël: “Zerimi i taksës për biznesin e vogël është një gur i rëndësishëm kilometrik në rrugën tonë drejt të ardhmes dhe përbën një nga pikat më domethënëse të ndryshimit të madh në qasje, në veprim dhe të ndryshimit të madh në rezultat me palën tjetër që sot ripredikon taksën e sheshtë duke kërcënuar faktikisht më të dobëtit me rikthimin në kohën kur 100% e bizneseve paguanin tatim fitimi 10% dhe TVSH, ndërkohë që sot 91% e bizneseve paguajnë zero tatim fitimi dhe zero TVSH dhe vetëm 9% e tyre në biznesin e madh paguajnë 15% tatim fitimi. Ndërkohë që brenda 91% janë në fakt 111 mijë biznese me rreth 300 mijë persona të punësuar që janë çiruar totalisht nga tatim fitimi. Është një hap që e vendos Shqipërinë në një pozicion krejt të posaçëm në raport me biznesin e vogël në krejt rajonin, nuk po flas për Europën, se në Europë dihet që taksat janë të pakrahasueshme me zonën tonë dhe faktikisht çdo subjekt që ka një xhiro vjetore deri në 114 mijë euro është subjekt pa taksa.”
Një pikë tjetër ku Kryeministri u ndal për të analizuar punën e bërë në këto vite ishte rritja e rrogës minimale duke shtuar se rritja e rradhës është vetëm në një stacion përgjatë rrugës së një rritjeje që do të vijojë.
“E dyta, por jo për nga rëndësia është paga minimale të cilën e kemi vendosur në 30 mijë lekë tanimë, të cilën kemi ambicien ta rrisim në vijim vit pas viti, por pjesën se çfarë do të bëjmë do ta trajtojmë gjerësisht në fazën e fundit të këtij mandate, kur do të shpalosim vizionin tonë Shqipëria 2030 dhe planin tonë të veprimit 2021-2025. Paga minimale 30 mijë lekë nuk është pikë mbërritje, por është një stacion në një rrugë që vazhdon dhe sigurisht që paga minimale 30 mijë lekë nuk është një shumë për të pritur duartrokitje apo lëvdata, por është një shumë shumë sfiduese qoftë për subjektet që përfitojnë këtë pagë, qoftë për ne që duam ta rrisim përfitimin e tyre, por krahasuar me ku ishim jemi ku e ku. Në 2013 kishte vetëm 22 mijë lekë page minimale, ku po të heqësh sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, shifra bëhet absolutisht e papranueshme. Sot, jemi në 30 mijë lekë dhe dua t’u them të gjithë atyre që përfitojnë nga paga minimale që duhet ta shohin këtë si një proces dhe si një stacion në një rrugë që vazhdon, jo si një pikë mbërritje. Ambicia jonë është që pagën minimale ta rrisim më tutje dhe siç kemi arritur sot pas gjithë këtyre përpjekjeve të bëra hap pas hapi të zerojmë taksën për biznesin e vogël duke shkuar përtej premtimit të dhënë, sepse kemi krijuar më shpejt mundësinë për ta bërë këtë, ashtu edhe njësoj si me këtë pozicion të posaçëm në rajon, duam të arrijmë në një pozicion të posaçëm edhe me pagën minimale.”
Më pas Kryeministri Rama premtoi se puna për sigurimin e ndihmës ekonomike për të gjithë qytetarët e dëmtuar nga tërmeti dhe nga pandemia do të vazhdojë deri në fund të gjendjes së jashtëzakonshme madje edhe përtej saj.
“E fundit, jo për nga rëndësia, kemi dyfishuar ndihmën ekonomike dhe do ta mbajmë dyfish deri në fund të luftës me armikun e padukshëm dhe ndërkohë do të synojmë dyfishimin e saj konstant, deri në fund, gjithë kohës edhe pas përfundimit të kësaj lufte. Kush gjykon mandatin tonë të dytë dhe dëshiron të japë një gjykim objektiv duhet të mos harrojë në asnjë moment se ky ka qënë mandate më i jashtëzakonshëm i një qeverie në të gjitha vitet qysh se qeveritë në Shqipëri zgjidhen dhe nuk imponohen nga sistemi monist, pikërisht sepse gjysma e këtij mandate ka qënë luftë me dy fatkeqësi të jashtëzakonshme. Dhe siç po dalim fitimitarë hap pas hapi nga lufta me fatkeqësinë e madhe të tërmetit, me pasojat e asaj fatkeqësie, duke i shëruar hap pas hapi plagët e mëdha që hapi tërmeti, ashtu do të dalim edhe nga kjo luftë globale ku ne sigurisht kemi pikën tonë në këtë front me armikun e padukshëm dhe me pasojat e pandemisë,” tha Rama.
“Jam shumë i vetëdijshëm që ky është moment kyç në këtë luftë dhe lidhet pazgjidhshmërisht me vaksinimin. Duke parë çfarë po ndodh në disa vende, që për arsye të fuqisë së tyre, për arsye të pozicionit të tyre të favorshëm në raport me burimin e furnizimit të vaksinës dhe kam parasysh Izraelin dhe Britaninë e Madhe të cilat po fillojnë të shohin me shumë optimizëm daljen nga tuneli si pasojë e vaksinimit që tanimë në Izrael ka arritur më shumë se gjysmën e popullsisë dhe në Britaninë e Madhe po ashtu ka arritur shifra impresionuese, është shumë e qartë që vaksinimi është një armë e pazëvendësueshme për të thyer zinxhirin e infeksionit dhe për të filluar çlirimin e vendit, për ta kthyer vendin në një vend pa Covid për popullsinë. Është shumë frymëzuese ajo që po ndodh në ato vende ku Izraeli po shkon drejt hapjes konstante tanimë si pasojë e thyerjes së zinxhirit pasi e parapagoi trefish vaksinën, gjë që nuk e bëri asnjë vend tjetër, nga kompanitë Pfizer dhe Moderna në procesin e shpikjes, pra pa pritur të aprovohet dhe të bëhet funksionale, Izraeli vuri një bast shumë të madh dhe sot disponon si asnjë vend tjetër gjithçka që i duhet për të vaksinuar popullsinë e vet dhe Britania e Madhe e cila faktikisht është vendi ku edhe lindi njëra nga vaksinat dhe pati avantazhin e një fillimi intensiv të vaksinimit dhe sot disponon të gjitha dozat që i duhen për ta përmbyllur vaksinimin, ndërkohë që dje Kryeministri britanik lajmëroi hapjen e stadiumeve në prill me 10 mijë persona dhe hapjen përfundimtare të stadiumeve në qershor, gjë që faktikisht është momenti i triumfit kur të ndodhë dhe do të ndodhë. Për këtë unë jam me mish e me shpirt i angazhuar së bashku me kolegët e mi që sa më shpejt, shumë shpejt të mund të disponojmë një sasi vaksinash që të hyjmë intensivisht në procesin e fazes finale të kësaj lufte për t’u çliruar nga ky makth, nga ky armik që vazhdon të marrë jetë çdo ditë. Vetëm vaksinimi do ta zmbrapsë përfundimisht,” shtoi Kryeministri duke premtuar se do të luftojë deri në fund për të realizuar sa më shpejt të jetë e mundur nisjen e procesit të vaksinimit masiv.
“Dua që të gjithë të jenë të sigurtë që ashtu sikundër arritëm të sigurojmë kontratën me Pfizerin jashtë radhe dhe ndryshe nga shumica dërrmuese e vendeve të rajonit që ende nuk e kanë një kontratë, ashtu sikundër arritëm të fusim në proces dhe do të arrijmë të mbyllim brenda javës së dytë të marsit të vaksinojmë të gjitha bluzat e bardha dhe shumë shpejt nis vaksinimi masiv, është vetëm çështje kohe. Kohë e shkurtër, jo e gjatë. Jemi shumë afër, Më vjen keq që s’po e them fjalën e fundit, por me zor po pres,” tha Kryeministri në mbyllje të fjalës së tij.