Nga sot, gjimnazistët do të jenë të detyruar që orët e mësimit t’i ndjekin online nga shtëpia.
Pas universiteteve, Komiteti i Ekspertëve ka marrë vendimin që të mbyllë edhe shkollat e mesme në ato qytete ku shkalla e infeksionit është më e lartë. Kështu, gjimnazistët në Tiranë, Fier, Vlorë, Berat, Durrës, Gjirokastër, Lezhë, Lushnjë, Pogradec dhe Kamzë do t’i zhvillojnë orët e mësimit online.
Nga ky vendim nuk përjashtohen as maturantët. Prej fundit të vitit që shkoi, Qeveria dhe Komiteti i Ekspertëve kishte vendosur që mësimi në shkollat e mesme të bëhej i alternuar, pra, dy ditë në shkollë dhe 3 ditë në shtëpi, por nga kjo skemë maturantët ishin lënë jashtë. Kjo jo pa qëllim, duke pasur parasysh ngarkesën dhe përgatitjen që nevojitet për të kaluar pragun e maturës. Nga ana tjetër, kufizime të reja janë caktuar edhe për lëvizjen.
Ashtu siç ishte paralajmëruar, qarkullimi do të jetë i ndaluar pas orës 20:00 të mbrëmjes. Kjo vlen jo vetëm për automjetet, por edhe qytetarët si edhe baret dhe restorantet, që po ashtu do të detyrohen të mbyllin aktivitetin pas kësaj ore. Këto kufizime do të qëndrojnë në fuqi deri në datën 25 shkurt, pra, për një periudhë 2-javore.
Masat e reja anti COVID/ 1.Ndalimi i qarkullimit të lëvizjes për qytetarët nga ora 20:00 e mbrëmjes – 6:00 të mëngjesit, me përjashtim të emergjencave shëndetësore dhe për arsye pune (në këtë rast është e domosdoshme leja nëpërmjet aplikimit tek e-Albania) për një afat 14 ditor, duke filluar nga dita e enjte, datë 11 Shkurt – 25 Shkurt.
2.Ndalimi i aktiviteteve të bareve, restoranteve, klubeve, nga ora 20:00 e mbrëmjes – 06:00 të mëngjesit (me përjashtim të shërbimit delivery), duke filluar nga dita e enjte, datë 11 Shkurt – 25 Shkurt.
3.Nisur nga rritja e rasteve të infektimeve të reja në grupmoshën 15-24 vjeç, shkollat e mesme do të aplikojnë skenarin e tretë, pra atë online ne zonat e riskut të lartë, ku përfshihen bashkitë: Tiranë, Fier, Vlorë, Berat, Durrës, Gjirokastër, Lezhë, Lushnje, Pogradec dhe Kamëz, për periudhën 11 shkurt – 26 shkurt.
4.Sezoni i provimeve për universitetin do të zgjatet, për të siguruar kombinimin e provimeve online dhe në auditor, për lëndët që kërkojnë prezencë, sipas vlerësimit të MASR, duke zbatuar rreptësisht protokollet anti COVID.