8190 dozat e vaksinës Pfizer kanë mbërritur mbrëmjen e sotme në vendin tonë. Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ishin të pranishëm në aeroportin e Rinasit për të pritur dozat e vaksinës anti Covid. Ministrja bëri me dije se këtë javë pritet që të vaksinohet stafi mjekësor në të gjithë Shqipërinë. “Nga nesër vijojmë të intensifikojmë vaksinimet. Këtë javë kemi ambicien që të mbyllim stafin mjekësor në të gjithë Shqipërinë. Edhe këtë javë jemi në Kukës, Korçë e Berat që do të hapim proceset e vaksinimit dhe kështu vazhdojmë”, tha Manastirliu.
Shqipëria ka kontraktuar 500 mijë doza vaksinash nga kompania Pfizer të cilat do mbërrijnë në periudha të ndryshme kohe. Pak ditë më parë mbërritën rreth 8 mijë doza ndërsa sot në mbrëmje mbërritën edhe 8190 doza të tjera. Deri më tani janë vaksinuar 4600 mjekë dhe infermierë dhe 400 të moshuar mbi 80 vjeç dhe të strehuar në azile.