Sot flitet shumë për karantinën, por ajo u krijua për herë të parë qindra vite më parë.
Pikërisht në ishullin Lazzaretto i ri në Venecia, 600 vite më parë fjala karantinë nisi të marrë kuptim për të mbrojtur qytetarët nga murtaja e cila po shkatërronte ishullin e jo vetëm.
“Venecia ishte e para që miratoi sistemin e izolimit, domethënë përdorimin e ishujve dhe karakteristikat e territorit të formuar nga një arkipelag ishujsh më të mëdhenj dhe më të vegjël, të shpërndarë nëpër lagunë”, u shpreh Gerolamo Fazzini, Presidenti i Arkeoklubit të Venecias.
Në vitet 1400, anijeve, dhe ekuipazhet e tyre që mbërrinin nga lindja ju kërkua të izoloheshin përpara se të vazhdonin udhëtimin e tyre në kontinent.
Atyre iu dha strehim dhe një vend për të ruajtur mallrat e tyre. Disa do të linin gjurmë brenda mureve ku qëndronin duke lënë dëshmi për mijëra persona që kaluan javë të tëra në izolim.
“Ato janë shkrime dhe vizatime të mrekullueshme të anijeve që dëshmojnë transportin detar që mbërrinte në Lazaret. Kur anijet, galeritë Veneciane, që vinin nga Orienti, mbërritën në Venecia, mallrat dhe ekuipazhet do të qëndronin këtu për një periudhë prej rreth 40 ditësh. Nga kjo rrjedh fjala karantinë”, tha Francesca Malagnini, profesor i gjuhës italiane në universitetin për të huajt, në Peruxhia.
Karakteri i famshëm në karnavale i mjekut të murtajës është një kthim prapa në kohërat kur nuk kishte shërim.
Venecia normalisht do të mbushej në këtë periudhë të vitit me mijëra njerëz që shijonin hapjen e sezonit të karnavaleve. Por këtë vit qëndron bosh duke u gjunjëzuar sërish para një pandemie.