Punimet në kantierin e sheshit Shqiponja vazhdojnë me 3 turne, pavarësisht vështirësive që sjellin reshjet e dendura të shiut. Grupet e punëtorëve dhe makinerive janë përqëndruar në zbatimin e projektit të tunelit 3, ndërkohë që tuneli numër 4 ka përfunduar dhe është drejt fundit dhe puna për tunelin 2. Tuneli numër 3 do të shërbejë në përfundim të veprës për qarkullimin e automjeteve që kalojnë nga Pallati me Shigjeta në drejtim të Durrësit. Por përkohësisht ai do të ndihmojë në lirimin e trafikut që krijohet gjatë punimeve. “Pas 5 javësh, në 15 Mars, tuneli që shihni mbrapa meje do të hapet për kalimin e automjeteve që vijnë nga Durrësi në drejtim të kryeqytetit. Kjo masë e përkohshme do të lehtësojë trafikun në sheshin Shqiponja për shkak të punimeve që po bëhen në Unazën e Madhe”, raporton gazetarja e Tv Klan, Ola Xama.
Trafiku më i rënduar është ai i automojeteve që vijnë nga autostrada për të hyrë në kryeqytet, ndërsa një rimodelim do të bëhet edhe për makinat që udhetojnë në drejtim të Durrësit. Fluksi i drejtimit të Pallatit me Shigjeta dhe Laprakës do të bashkohen në një rrethrrotullim të ri për të kaluar në autostradë. Të gjitha këto masa do të jenë të përkohshme deri në përfundimin e plotë të punimeve, ku autoritetet premtojnë se do të përfundojë në Dhjetor të këtij viti, 2 muaj përpara afatit kontraktual.
Së shpejti do të hapet procedura e tenderit edhe për nisjen e punimeve të 5.7 kilomterave të Unazës që lidhin sheshin Shqiponja me Bulevardin e Ri dhe Shkozën. Unaza e Madhe e kryeqytetit përbën një segment prej 27 kilometrash të gjatë, e cila do t’i kushtojë në total buxhetit një vlerë prej 330 milionë Eurosh. Vepra projektohet të jetë gati e gjitha në vitin 2023.