Ditën e sotme në vendin tonë do të vijnë 7020 doza të tjera të vaksinës anti COVID nga Pfizer. Lajmin e ka dhënë ministrja Ogerta Manastirliu nga Kuvendi.
“Vijnë 7020 doza të tjera të vaksinës nga Pfizer. Premtimet e çudibërësve që kur nuk kanë gjë në dorë besojnë se mund të mposhtin pandeminë që nuk po e mposht dot Amerika, Gjermania, Britania e Madhe, Franca, Spanja, Italia; zotimet e kujt nuk ka respekt për peshën e fjalës, që thotë se vaksinat do i sigurojë në mbledhjet e partive simotra; qortimet e kujt drejton gishtin me fyerje drejt kolegëve, por vet nuk merr mundimin t’u japë një dorë në këtë kohë sfiduese, nuk janë zgjidhja.
Zgjidhjen do ta gjejmë bashkë, tek zbatimi i masave dhe protokolleve, tek mirëkuptimi dhe bashkëpunimi mes nesh, përballë një virusi që në këta 12 muaj ka treguar se di t’i bëjë bisht shkencës, di t’i përvidhet mjekëve dhe laboratorëve, që mundet të fusë në vështirësi serioze sisteme shëndetësore shumë herë më të përparuara se sa ynë.
Deri kur plani ynë i vaksinimit të jetë zbatuar plotësisht siç ne e kemi parashikuar, arma jonë përveç maskës, distancimit dhe higjenës, është solidariteti mes nesh. Sepse me zinxhirin e solidaritetit do të mundemi të këpusim zinxhirin e infeksionit.