Ambasadori i Shqipërisë, Qemal Minxhozi ka takuar kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti të cilin e përgëzoi për fushatën zgjedhore dhe rezultatet e 14 shkurtit. Ambasada përmes një njoftimi ka bërë të ditur se Minxhozi dhe Kurti kanë diskutuar për thellimin e marrëdhënieve mes dy shteteve, në të gjitha fushat e bashkëpunimit.

“Sot, Ambasadori Minxhozi u prit në takim nga kryetari i LVV-së, z. Albin Kurti. Ambasadori e përgëzoi z. Kurti për fushatën e qetë zgjedhore, procesin e lirë dhe demokratik zgjedhor, pa incidente, si dhe fitoren e arritur në zgjedhjet e 14 shkurtit”, thuhet në njoftim.

Në njoftim, po ashtu thuhet se Qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës duhet të punojnë për të kapërcyer burokracitë në ndëritmin e marrëdhënieve model të bashkëpunimit në rajon. “Bashkëbiseduesit theksuan rëndësinë e rritjes dhe thellimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, në të gjitha fushat e bashkëpunimit. Qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës duhet të punojnë së bashku për të kapërcyer çdo barrierë e burokraci e për ndërtuar marrëdhënie model të bashkëpunimit në Rajon, veçanërisht në fushën e ekonomisë, u shpreh z. Kurti, dhe për këtë ai shprehu vullnetin dhe gatishmërinë e tij të plotë në funksion të realizimit të këtij qëllimi”, thuhet tutje në njoftim.