Mes shumë akuzave që i janë bërë përgjatë viteve Jose Mourinhos, është edhe ajo e një trajneri mbrojtës. Një epitet që i është ngarkuar pas disa ndeshjeve ku skuadrat e tij kanë “parkuar autobusin” para portës, si për shembull ajo Barcelona-Inter në vitin e triumfit të trefishtë për zikaltrit.
Vetëm se palmaresi i trofeve flet në favor të Special One, diçka që tregon se metodat e tij funksionojnë dhe nëse portugezi është nga ata që mendojnë se është më mirë të pësosh një gol më pak se kundërshtari, natyrisht që nuk mund të jetë i kënaqur i një disfate sa spektakolare aq edhe të papranueshme për mënyrën e tij të të parit të gjërave.
Disfata 5-4 e pësuar nga Evertoni i Carlo Ancelottit, hyn në historinë e FA Cup dhe natyrisht që ngjall diskutime. Një ndeshje që është pak ta quash spektakolare, e mbyllur vetëm në kohën shtesë me golin e Bernard, pasi në kohën e rregullt kishin ndodhur nga të gjitha, përfshirë një dy-golësh të Davinson Sanchez që natyrisht nuk është një bomber, por Mourinho nuk mund të jetë i kënaqur kur pëson 5 gola.
“Mbajtëm topin, krijuam raste, lëvizëm mirë dhe shënuam. Një sjellje prej luftëtarësh që më pëlqen, por me golat i fiton ndeshjet vetëm kur nuk bën kaq shumë gabime. Ishim skuadra më e mirë në fushë, po fitonim 1 me 0 dhe pastaj në pesë minuta, gabim, gabim, gabim, gol, gol, gol”, u shpreh Mourinho pas ndeshjes.